Katër skuadra në garë për trofeun e parë sezonal në Itali. Superkupa e këtij edicioni do të zhvillohet për herë të parë në formën e një mini-turneu, ku marrin pjesë katër ekipe. Nëse deri më tani finalja luhej ndërmjet kampionëve dhe fituesve të Kupës, së fundmi në garë janë përfshirë edhe nënkampionët e secilit aktivitet. Kampionët e Napolit, Interi si fitues i Kupës, por edhe Fiorentina e Lacio plotësojnë kuadrin e ekipeve pjesëmarrëse në Riad të Arabisë Saudite.
Napoli dhe Fiorentina luajnë për biletën e parë në finalen e Superkupës së Italisë. Ekipi i Maxarrit vjen nga një periudhë e vështirë, ndërsa Fiorentina e drejtuar nga Italiano ka humbur vetëm një nga 11 ndeshjet e fundit. Dy skuadra të talentuara, ku problemin më të madh e ka Napoli me mungesën e Osimhen. Të kaltrit vlerësohen si të avantazhuar në këtë duel, që do të nisë prej orës 20 në impiantin Al-Aual Park të ekipit të Kristiano Ronaldos, Al Nassr.
Mazzarri dhe Italiano kërkojnë fitoren
"Është një emocion i fort. Na vjen keq që nuk po kalojmë formën më të mirë, megjithatë do të japim maksimumin në këto ndeshje. Vijmë nga një periudhë me oshilacione dhe duhet të bëjmë një paraqitje e cila do ti japë motivim dhe qetësi lojtarëve. Merkato nuk na shpërqendron, jemi të përqendruar vetëm në momentin aktual. Edhe pse Zielinski është gati formacionin nuk e kam vendosur, do të provoj të bëj diçka ndryshe. Ajo që ka rëndësi është të fitojmë ndaj Fiorentinës dhe të shkojmë të luajmë në finale.", tha Mazzari.
"Duhet të jemi shumë të përqendruar. Ky është mësimi që kemi nxjerrë nga finalet e humbura të sezonit të kaluar. Në pasigurinë më të vogël mund të ndëshkohesh. Janë ndeshje me eliminim direkt, ku nevojitet një mentalitet ndryshe. Padyshim për të fituar duhet edhe cilësi. Napoli është një skuadër me kampionë të mëdhenj, do të jetë një sfidë krejt e ndryshme nga ajo që fituam në kampionat.", tha Italiano. (A2 Televizion)