Erkand Qerimaj do të marrë pjesë në Kupën e Botës në Tailandë. Pasi fillimisht raportoi se është lënë jashtë dhe artikuloi një sërë akuzash për Federatën, pasditen e kësaj të premteje njoftoi se do të garojë në peshën që ai ka kërkuar që prej muajit janar.
“E drejta u vendos! Zyrtarisht në listën për Kupën e Botës Tailande në peshën ku e kisha kërkuar që në janar për Kualifikim në Lojërat Olimpike”, shkruan peshëngritësi.
Ai ka edhe një premtim për tifozët.
“Gati për të dhënë më të mirën”, përfundon Qerimaj.
Më herët, Qerimaj akuzoi kreun e Federatës së Peshëngritjes, Elez Gjoza për shpenzime të parave të taksapaguesve për llogari të familjarëve të tij dhe turizëm si edhe sipas tij ka mbajtur të fshehur rastin e një sportisti të kapur me doping.
Me një karrierë 22-vjeçare, Qerimaj u shpall së fundmi nënkampion Europe në turneun që u zhvillua në Sofje të Bullgarisë. Qerimaj u shpall nënkampion Europe në stilin e shkëputjes, me 155 kilogramë të ngritura, duke marrë medaljen e argjendit në kategorinë deri në 81 kilogramë. (A2 Televizion)