“Një sportist shqiptar me doping”. Erkand Qerimaj akuzon Federatën e Peshëngritjes se ka fshehur rastin

Nga A2 CNN
22 Shkurt 2024, 10:57 | Sporte të tjera

Peshëngritësi shqiptar, Erkand Qerimaj, akuzon Federatën e Peshëngritjes se ka mbajtur të fshehur rastin e një sportisti të kapur me doping. Edhe pse nuk e bën publik emrin e peshëngritësit, në një postim në Facebook, Qerimaj kërkon largimin e presidentit të Federatës.

“Skandali i fundit në Federatën e Peshëngritjes, rasti i fundit i një sportisti që është kapur me doping është mbajtur i fshehur nga Federata dhe institucionet për të mbrojtur Federatën dhe Elezin. Mendimi është që urgjentisht Elez Gjoza të japë dorëheqjen e të bëhen zgjedhje te reja”, shkruan Qerimaj.

Me një karrierë 22-vjeçare, Qerimaj u shpall së fundmi nënkampion Europe në turneun që u zhvillua në Sofje të Bullgarisë. Qerimaj u shpall nënkampion Europe në stilin e shkëputjes, me 155 kilogramë të ngritura, duke marrë medaljen e argjendit në kategorinë deri në 81 kilogramë.

Në të njëjtën garë, por me rezultatet nga bateria B, erdhën edhe dy tituj nënkampion Europe për Krist Ramadanin. Ai u pozicionua i dyti në shtytje dhe në dygarësh me 341 kilogramë të ngritura në total, duke fituar me meritë të plotë dy medaljet e argjendit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos