Sondazh: Çfarë ju pengon për t'u ushqyer shëndetshëm?
  • Çmimet e larta 50%
  • Mungesa e kohës 33%
  • Mungesë motivimi 0%
  • Lodhja fizike 17%

Xhudo, krenaria e Kosovës, medaljet e arta që i sollën shtetit “njohjet e munguara”

Nga A2 CNN
1 Shkurt 2024, 17:24 | Sporte të tjera

Xhudo, krenaria e Kosovës, medaljet e arta që i sollën shtetit

Xhudo nuk është thjesht sport në Kosovë. Për ata që e praktikojnë është vetë jeta, për ata që e ndjekin krenari. Tri medalje të arta olimpike e dhjetëra e qindra tituj botërorë e evropianë xhudistët i sollën Kosovës nder vite.  

Viti që lamë pas nuk ishte ndryshe. Katër medalje të arta shënuan vitin 2023. Përpos kësaj, në dhjetor për herë të parë u mbajt në Kosovë, Kampionati i Hapur Evropian i Xhudos, “Open Prishtina 2023” që ishte një tjetër e arritur për këtë sport.

“Kanë marrë pjesë 27 shtete, edhe shumë shtete që ende kanë hezitim sa i përket njohjes së shtetit të Kosovës, në mesin e të cilëve Spanja, Azerbajxhani, Gjeorgjia, që në xhudo janë superfuqi, por po shihet që sporti po ecën pak para politikës edhe që po thyhen ato tabutë, ato barrierat me vet faktin që kanë marrë pjesë në shtetin e Kosovës flet shumë. Edhe për ne me të vërtetë kënaqësie madhe”, u shpreh trajneri Driton Kuka.

Kosova bindshëm triumfoi edhe në këtë kampionat. Akil Gjakova fitoi medaljen e artë kurse Distria Krasniqi, Nora Gjakova dhe Dardan Cena fituan medalje të bronzta.

“Mendoj që është më e veçanta që kam arritur të garoj dhe t'i tregoj aftësitë e mija në prani të shtetit tim dhe publikut e njerëzve të cilët krejt karrierën më kanë përcjell dhe po mendoj që ndjenjat dhe emocionet nuk kanë mund të krahasohen me gara të tjera, kam qenë shumë i emocionuar e kjo e ka bërë të vështirë garimin, por motivi s'ka munguar kështu që gjithçka ka shkuar mirë”, u shpreh Akil Gjakova.


Ndërsa Nora u shpreh. “Një garë shumë më ndryshe se garat e tjera, jo prej konkurrencës, jo prej anës sportive, por ndoshta prej anës mentale më tepër, një lloj presioni tjetër sepse hera e parë që garuam para publikut tonë shqiptar”.

Viti 2023 shërbeu për të arritur normën olimpike për xhudistët kosovarë për lojërat e Parisit.

“Është me rëndësi që vit pas viti në ekipin tonë po prodhohen, po lindin, yje të rinj. Sivjet një yll i ri ka dal në skenë është Laura Fazliu e cila është e para në renditjen olimpike, është potencial i madh për medalje olimpike, është një garuese e cila javë pas jave, muaj pas muaji është duke rritur performancën dhe është diçka e veçantë krahas yjeve që janë Nora e Distria, kampionet tona olimpike, Akili aty është dhe Loriana Kuka, këta janë ata të kualifikuarit për Lojëra Olimpike”, shtoi trajneri Driton Kuka.

Majlinda Kelmendi i solli medaljen e parë të artë olimpike Kosovës. Tashmë në rolin e trajneres ka një mision tjetër, të kujdeset për vazhdimësinë.

“Të gjithë e dimë që në Lojërat Olimpike të Tokios jemi kthyer me dy medalje të arta, kështu që puna në ekipin tonë nuk ndalet asnjëherë. Toni është një njeri që nuk kënaqet kurrë, nuk është kurrë mjaft, jam jashtëzakonisht e lumtur që po kemi emra të rinj, si prej kadetëve, juniorëve e deri tek seniorët”, tregon Majlinda.

Si për ironi, xhudistët kanë imponuar simbolet e shtetit të Kosovës në vendet që e kanë kundërshtuar në mënyrën më agresive pavarësinë e Kosovës.

“Me xhudo i kemi mësuar ta respektojnë shtetin tonë, të respektojnë simbolet tona,himnin, dhe ta pranojnë një realitet”, shprehet trajneri.

Nga Rusia në Brazil, Kinë, Spanjë dhe vende të tjera të cilat kundërshtojnë shtetësinë e Kosovës, xhudistët kanë bërë që të ngrihet flamuri i Kosovës.

“Pas shumë problemeve që i kemi pasur rreth pjesëmarrjes së Kosovës, kam arritur të dal e para dhe është ngritur flamuri i Kosovës në mes të Rusisë për herë të parë dhe të vetme deri tash. Shpresoj që të mos jetë e fundit”, shton Majlinda.

“Me vetë faktin që kemi arritur deri në Rusi në një Kampionat Evropian që është mbajtur atje të ngremë flamurin e shtetit tonë, aty ku fjalën hyrëse të kampionatit e ka pasur vetë kryetari i Rusisë, Putini, flet shumë për atë se sa shumë mundet sporti të bëjë para politikës. Normalisht ndjenja të veçanta, të jashtëzakonshme, kur ki parasysh sa barrierat, sa pengesat i kemi pasur për pjesëmarrje”, tha Driton Kuka.

Falë suksesit të tyre, xhudistët janë përfaqësuesit më të denjë të Republikës së Kosovës.

Lojërat Olimpike Verore janë padyshim kompeticioni më i rëndësishëm për këtë vit. Nora Gjakova, Distria Krasniqi, Akil Gjakova, Loriana Kuka dhe Laura Fazliu janë pesë xhudistët që do të përfaqësojnë Kosovën në Paris. Kosova hyn si favorite me dy medaliste të arta olimpike Nora Gjakovën e Distria Krasniqin.

A2 CNN Livestream

Dita jonë