Sulmi ndaj Top Channel, ndalohen dy persona në Vlorë, dërgohen në Tiranë për t'u marrë në pyetje

Nga A2 CNN
28 Mars 2023, 00:00 | Kronikë

Dy orë pas sulmit me armë drejt godinës së televizionit kombëtar Top Channel, Policia e Vlorës ka ndaluar në fillim të autostradës, pranë hyrjes në qytet, dy shtetas të cilët udhëtonin me një automjet tip Mercedes Benz. Policia e Vlorës, nuk ka bërë ende me dije arsyet e ndalimit të këtyre dy personave apo indiciet që çuan në shoqërimin e tyre. Të dy këta persona janë dërguar në Tiranë, ku do të merren në pyetje në funksion të hetimit.

Ndërkohë të dy personave u është bërë testi i faktorëve plotësues, me qëllim gjetjen e grimcave të barutit të djegur në duar dhe rrobat e tyre. Zyrtarisht, policia ende nuk është njohur me rezultatin e kësaj analize. Ndërkohë 4 aparate telefonike sekuestruar dy personave, po i nënshtrohen një ekzaminimi kompjuterik.

Grupi hetimor dyshon se autorët e këtij krimi të rëndë, ku si pasojë e breshërisë së kallashnikovit humbi jetën edhe një roje i godinës, pasi kanë djegur makinën Range Rover pranë Kavajës janë zhvendosur me një tjetër mjet drejt Vlorës.

Dyshimet janë shtuar dhe më tej, pasi nga këqyrja e kamerave të sigurisë, disa orë pas krimit, në hyrje të Vlorës ka ndaluar një mjet që ka hedhur disa sende të dyshimta që mendohet se kanë qenë armë.

Për këtë arsye, dhjetëra efektivë kanë krehur në këmbë zonën dhe kanë kërkuar nëpër shkurre për ndonjë send të dyshimtë.

Mesnatën mes të dielës dhe të hënës, persona të armatosur qëlluan me armë zjarri në drejtim të godinës së Top Channel që ndodhet në zonën e Kasharit. Breshëria e plumbave ka goditur hekurat dhe xhamat e godinës dhe një prej plumbave ra mbi trupin e 60-vjeçarit Pal Kola, duke i marrë jetën.

Momentalisht, policia po heton në disa pista për këtë ngjarje të rëndë dhe ka sekuestruar pamjet e dhjetëra bizneseve që mund të ndihmojnë në zbardhjen e saj.

https://a2news.com/2023/03/27/sulmi-ndaj-top-channel-policia-e-vlores-kerkon-nje-arme-zjarri-ne-rruge/

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi