“Të kam paguar për shërbimin, dua dokumentet”, zbardhet debati për pronën mes Rei Metës dhe Armando Meshau (Dosja e plotë)

Nga A2 CNN
11 Gusht 2023, 09:46 | Aktualitet
“Të kam paguar për shërbimin, dua dokumentet”,

A2 CNN ka zbardhur dosjen e plotë të vrasjes së ndërtuesit Armando Meshau nga Rei Meta, 4 ditë më parë në qytetin e Vlorës. Gjithçka nisi për një apartament 60 metra katrorë në Radhimë, për të cilën, sipas dëshmisë së Metës, Armando Meshau do të shpërblehej me shifrën 7 mijë euro.

“Kisha nënshkruar një kontratë sipërmarrjeje si komision për gjetjen e një trualli në Radhimë, ku do të ndërtonte Armando, ndërkohë që unë do të shpërblehesha me 60 m2 apartament dhe në këmbim do i jepja Armandos 7000 euro", ka dëshmuar Meta.

Ai tregon se ndonëse kishte një kontratë me të, Armando nuk i është përmbajtur dhe prej 7-8 muajsh kishte prerë çdo komunikim me të.

Si ndodhi ngjarja?

Rei Meta, djali i anëtarës së KLP-së Nurihan Seiti Meta rrëfen se kishte shkuar në Vlorë për të takuar një mikun e tij dhe aty kishte parë edhe Armando Meshaun, ku e kishte ftuar për kafe, por ky i fundit e kishte refuzuar duke i thënë se “kishte punë”.

Rei Meta: Hajde pimë një kafe dhe të flasim për kontratën që kemi
Armando Meshau: Nuk kemi se çfarë flasim bashkë
Rei Meta: Kemi kontratën që kam për të marrë një pronë
Armand Meshau: Ik shiko hallin se nuk më bën gjë mua
Rei Meta: Hajde të ulemi dhe të flasim dhe të merremi me gjyqe, hajde flasim

Më pas, Meshau është futur në një internet kafe, ku ka vijuar sërish debatin.

Rei Meta: Të kam paguar për shërbimin, dua dokumentet
Armando Meshau: Jo me mua këto muhabete
Rei Meta: Fol pak më qetë me mua se ka dhe njerëz të tjerë përreth që nuk na njohin
Armando Meshau: Seriozisht e ke ti?

Referuar dosjes, Meta pasi e ka qëlluar me grusht është larguar nga vendi i ngjarjes, por u dorëzua në Polici, pasi kishte mësuar se Meshau kishte ndërruar jetë.

Ai është lënë, ditën e sotme, në burg nga Gjykata e Shkallës së Parë në Vlorë, me akuzën “vrasje nga pakujdesia”. Seanca gjyqësore u mbajt me dyer të mbyllura me gjyqtare Emiljana Dhima, ndërsa prokuror i çështjes është Arjan Xhaferi.

https://a2news.com/2023/08/08/vrasja-ne-vlore-momenti-i-konfrontimit-mes-viktimes-dhe-autorit/

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani