Donald Trump është paditur për herë të katërt këtë vit. Ish-presidenti amerikan Donald Trump akuzohet për përpjekje për të përmbysur humbjen e tij në zgjedhjet e vitit 2020 në Georgia. Kjo u vendos nga juria e madhe e Qarkut Fulton në Atlanta.
Janë 19 të pandehur të përmendur në aktakuzën me 41 pika. Përveç Trump, në të përfshihen avokatët e tij, John Eastman dhe Rudy Giuliani, si dhe ish-shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, Mark Meadows.
Prokurorja e Qarkut Fulton, Fani Willis tha se 19 të pandehurit kanë kohë deri në mesditën e 25 gushtit, për t'u "dorëzuar vullnetarisht".
Vendimi i jurisë së madhe vjen në fund të një dite në të cilën u dëgjuan dëshmitarë të ndryshëm, duke përfshirë republikanin Geoff Duncan, ish-zëvendës guvernator i Georgia-s.
Fillimisht një mbështetës i Trump, Duncan që atëherë është bërë një nga armiqtë e tij më të zëshëm. "Ai është kandidati më i keq ndonjëherë," tha ai ndërsa doli nga salla e gjyqit pas depozitimit të tij nga juria e madhe.
Kjo është aktakuza e katërt me të cilën përballet Trump. Ish-presidenti, i cili është kryesuesi aktual i GOP 2024, është akuzuar në tre raste të veçanta këtë vit. Ai mohon çdo keqbërje dhe thotë se ato janë të motivuara politikisht.
Në faqen e tij të mediave sociale "Truth", Trump shkruaji me shkronja të mëdha: "A do t'i tregojë dikush jurisë së madhe të qarkut Fulton se unë nuk i manipulova zgjedhjet. Në mesin e njerëzve që i manipuluan ato është mjerisht edhe Fani Willis, e cila në mënyrë tronditëse ka lejuar Atlantën të bëhet një nga qytetet më të rrezikshme në botë, nuk ka asnjë interes të shohë sasinë masive të provave në dispozicion, ose të zbulojë se cilët janë këta njerëz që kanë kryer këtë krim. Ajo dëshiron të kapë ‘vetëm zotin Trump’”, shkroi ai.
Ish-Presidenti Trump tha se "do të ishte i lumtur" të jepte dëshmi për jurinë e madhe, megjithëse gjatë muajve të hetimeve kriminale që kishin në shënjestër atë, ai ka refuzuar të gjitha ofertat për të dëshmuar. (A2 Televizion)