U plagos gjatë shuarjes së sherrit, Balla jep detaje për gjendjen shëndetësore të policit: Krim kundër shtetit

Nga A2 CNN
16 Gusht 2023, 10:09 | Aktualitet
U plagos gjatë shuarjes së sherrit, Balla jep detaje për gjendjen

Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka reaguar pas plagosjes me thikë të policit 28-vjeçar mbrëmë në Himarë. Në një reagim Balla ka dhënë detaje mbi gjendjen shëndetësore të policit i cili po lufton për jetën në Reanimacionin e Spitalit të Vlorës dhe i bëri thirrje Prokurorisë së Vlorës që të bëjë një hetim të plotë, të pavarur dhe një ndëshkim të ashpër për fajtorin. Për këtë çështje ai paralajmëroi se do të flasë sërish sot.

Reagim i Ministrit të Brendshëm Taulant Balla:

Prej mbrëmë, pak para mesnate, një nga djemtë e rinj dhe të përkushtuar të Policisë së Komisariatit Himarë, Redin Çaushaj, po lufton për jetën në Reanimacionin e Spitalit të Vlorës. Mjekët dhe infermieret e këtij spitali kanë bërë më të mirën dhe gjendja shëndetësore e Redianit, edhe pse vazhdon e rëndë, po shfaq përmirësime dhe paraqitet e stabilizuar në parametrat jetikë për momentin. Redin Caushaj mban detyrën e inspektorit në Policinë e Shtetit dhe dje edhe pse jashtë orarit të shërbimit është përpjekur të bëjë detyrën, duke ndërhyrë për shuarjen e një konflikti mes dy shtetasve, siç jam informuar menjëherë mbrëmë nga Drejtori i Përgjithshëm. Në këtë përpjekje të punonjësit të policisë, njëri nga shtetasit e ka goditur me armë të ftohtë duke e plagosur rëndë. Autori i këtij krimi është arrestuar sot në të gdhirë nga forcat tona të Policisë së Shtetit dhe pres nga Prokuroria Vlorë të bëjë një hetim të plotë, të pavarur dhe një ndëshkim të ashpër për fajtorin. Kushdo që guxon të ngrejë dorë kundër një punonjësi policie duhet ta dijë mirë se po kryen një krim të rëndë kundër shtetit. Do të flas në një moment të dytë sot për këtë çështje.

Redini do të vazhdojë të qëndrojë në Reanimacioin e Spitalit Vlorë, pas konsultimit që patëm me mjekët dhe drejtuesit e Spitalit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos