



Një 16-vjeçare siriane, e mbijetuara e vetme e familje së saj me 8 anëtarë nga tërmetet që goditën Turqinë të hënën e 6 shkurtit, ka treguar nga spitali ku ndodhet e shtruar, tmerrin që përjetoi atë natë tragjike për të, familjen e saj dhe qindra mijëra të tjerë në Turqi e Siri.
Selsebile Azezi, e transferuar me familjen e saj nga Siria në Turqi, jetonte në Elbistan, një prej qyteteve më të goditur nga tërmetet, pasi ndodhet shumë pranë epiqendrës. Në një intervistë për agjencinë turke të lajmeve IHA, ajo tregon se atë natë, i ishte lutur mamasë që të dilte të luante me motrat dhe vëllezërit jashtë, pasi kishte rënë dëborë.
“Atë natë ra borë dhe i thashë nënës që të na linte të luanim jashtë. Por ishte ora rreth 2:00 e mëngjesit dhe mamaja nuk na la. Me gjithë këmbënguljen time, ajo nuk pranoi dhe të gjithë shkuam në strat”, tregon Azezi nga spitali.
Ajo rrëfen edhe çastet e para pasi tërmeti me magnitudë 7,7 goditi vendin. “Në fillim dëgjova nënën dhe babain që po bërtisnin, mendova se po grindeshin dhe nuk u ngrita. Por më pas nisën të bërtisnin edhe motrat dhe vëllezërit dhe u ngrita në këmbë. E ndjeva që ndërtesa po anohej dhe më pas u shemb. Por fatmirësisht shpëtova”, tha ajo.
Tërmeti i parë ra në orën 4:17 të mëngjesit. Familja Azezi ndodhej në katin e fundit të një pallati pesëkatësh. “Pa familjen time jeta nuk ka më vlerë për mua”, kujton adoleshentja siriane. “Isha e para që u nxora nga rrënojat në Elbistan, e mbijetuara e parë nga tërmeti në Elbistan”. (A2 Televizion)