Champions League ngre siparin për këtë edicion dhe përpara se skuadrat të zbresin në fushë, kanë nisur llogaritë se cilët janë pretendentët për të triumfuar. Kampionët në fuqi të Manchester City janë favoritë për të ngritur trofeun në “Wembley”.
Parashikimi që favorizon “Citizens” është bërë nga kompania e specializuar e statistikave, Opta. Sipas studimit të saj, skuadra e Pep Guardiolës ka 38,9 për qind shanse të fitojë. Manchester City ndiqet nga Bayern Munchen me 10,9% dhe Arsenal me 8,7%.
Menjëherë më mbrapa pozicionohet Reali i Madridit me 6 për qind. Surpriza erdhi nga kuotimi i lartë i dy skuadrave italiane, Inter dhe Napoli, të cilat janë përfshirë mes favoriteve të turneut.
Sikur të mos mjaftonte vetëm kriza në derbi, Milani pozicionohet në vendin e 15-të, me vetëm 1,3% shanse të fitojnë Champions numër tetë në histori. Kuotim të ulët kanë edhe rivalët e tjerë të kuqezinjve në Grupin F, që është cilësuar “grupi i ferrit”. Newcastle ka 1,6% shanse të fitojë, i ndjekur nga Paris Saint Germain me 1,4% dhe Borussia Dortmund me vetëm 1,3%.
Çështja ndryshon kur bëhet fjalë për fazën çerekfinale. Interi dhe Napoli kanë shanse të konsiderueshme të luajnë mes tetë më të mirave të aktivitetit, ndërsa Milani vetëm 23,5%. Nga Serie A, sipas parashikimeve rrugëtimi i Lazio pritet të përfundojë në 1/8 e Champions. (A2 Televizion)