Shqipëria, një shtet i vogël ballkanik në kontinentin Europian mori jo pak vëmendje në javën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, që u mblodhën në SHBA. Me optimizmin e një vendi që do të drejtonte Këshillin e Sigurimit, për herë të parë udhëtuan drejt Nju Jorkut dy drejtuesit e Lartë të shtetit shqiptar në të njëjtën kohë.
Presidenti Bajram Begaj kishte radhën për të folur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB, ndërsa kryeministri Edi Rama do të drejtonte për të dytën herë në harkun e dy viteve Këshillin e Sigurimit, si vend anëtar i përkohshëm, me 14 shtete të tjera të këtij organi të OKB për menaxhimin e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.
Ky moment historik për vendin tonë nuk mund ta mbante kryeministrin Rama në një kornizë protokollesh. Ndërsa në Nju Jork ende nuk kishte zbardhur, në Tiranë u shpërnda një videomesazh në anglisht nga Rama, i cili i vetëm në sallën e Këshillit të Sigurimit i ulur në karrigen e Shqipërisë nuk e fshehu kënaqësinë për detyrën që do të mbante vetëm pak orë më vonë në nisjen e mbledhjes.
“Këshilli i Sigurimit do të mbajë debatin e parë të hapur të nivelit të lartë për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare përmes respektimit të qëllimeve dhe parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara në kontekstin e luftës në Ukrainë. Kam kënaqësinë dhe nderin të kryesoj këtë takim. Na duhet të përkrahim rendin ndërkombëtar mbështetur në rregulla që e ka vërtetuar edhe njëherë profecinë, është treguar edhe njëherë kundër profecisë që i fuqishmi ka të drejtë”, u shpreh Rama.
Qëndrimi i qartë i Shqipërisë kundër Rusisë për agresionin ndaj Ukrainës dhe mesazhet e kryeministrit shqiptar para mbledhjes nuk u pritën mirë nga Moska zyrtare. Ambasadori rus në Këshillin e Sigurimit e tregoi pakënaqësinë tij ndaj presidencës shqiptare sapo Edi Rama hapi diskutimet. Shqetësimi i diplomatit të Moskës lidhej me prezencën e Presidentit të Ukrainës Volodymir Zelensky si dhe me të ftuarit e presidentit shqiptar të Këshillit.
Diplomacia nuk zuri më vend në këtë debat të Shqipërisë dhe Rusisë për rreth 10 minuta, nga njëra anë ambasadori shigjetonte praninë e presidentit ukrainas me të shkuarën e tij si komedian, nga ana tjetër kryeministri Rama ironikisht i ofroi një zgjidhje që me vetëdije nuk do të pranohej.
“Zoti President, u nxituat të thoni “pra, u vendos”. Së pari e mbi të gjitha dua t’ju pyesim mbi ç’bazë propozoni që t’i jepnit presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelensky fjalën përpara se të flasin anëtarët e Këshillit të Sigurimit?”, u shpreh ambasadori rus.
“Në secilën prej pesë takimeve të mëparshme të Këshillit të Sigurimit në cilat zoti Zelensky është ftuar, ai ka folur përpara anëtarëve të Këshillit. Dua të siguroj kolegët tanë rusë se të gjithë ata që janë këtu, se ky nuk është një operacion special i Presidencës Shqiptare, por një vijimësi e një praktike kohëgjatë e të konsoliduar të këtij Këshilli, për rrjedhojë është në përputhje të plotë me udhëzimet dhe praktikat e Këshillit”, iu përgjigj Rama.
“Pyetja e dytë mbi ç’bazë ftoni ju ministrin e jashtëm të Maqedonisë së Veriut në takimin e sotëm në cilësinë e kryetarit të OSBE-së?”, vijoi ambasadori rus.
“Kam pak vështirësi të kuptoj se cili është problemi sepse OSBE luan një rol të rëndësishëm dhe gjendet këtu falë kontributit të saj në këtë takim, i cili konsiderohet si thelbësor. Po, përfaqësuesi i OSBE-së këtu është shqiptar nga Maqedonia e Veriut, por nëse do të ishit më i qartë se cili është problemi, do të isha i lumtur t’ju ndihmoja”, u përgjigj kryeministri shqiptar.
“Sa i përket pjesëmarrjes së kryetarit të OSBE që është shqiptar nga Maqedonia e Veriut kjo nuk ka të bëjë me shtetësinë e tij. Pjesëmarrja e zotit Osmani shërben për të çuar përpara rregullat e njëanshme të lojës. Do doja t’ju paralajmëroja se nëse sot, në fakt ju miratoni vendime duke i rënë çekiçit, atëherë presidenca shqiptare do të përballët me një praktikë të shkeljes së dukshme të praktikave të KS dhe natyrisht i bie që të tregoni që se rregullat nuk vlejnë për ju”.
“Kjo e sotmja do të jetë jo më shumë, por një spektakël i një njeriu të vetëm. Presidenca shqiptare ka treguar në fakt mospërfillje flagrante ndaj këtyre praktikave dhe ka vendosur bindjet ideologjike dhe të NATO-s mbi të gjitha mbi praktikat e Këshillit të Sigurimit i cili është një rojtar i qëndrimeve objektive. Për fat të keq Shqipëria nuk ka mundur ta menaxhojë një gjë të tillë sot”, tha ambasadori rus.
“Më duhet të them se duke ardhur nga ju gjithë ky leksion i shkeljes së rregullave në këtë ndërtesë është një goditje mjaft mbresëlënëse, por duke qenë se e përsëritët shumë herë që shkelja këtu ka të bëjë me faktin që presidenti Zelensky do të flasë përpara anëtarëve të Këshillit, ka një zgjidhje për këtë. Nëse bini dakord. Ju ndaloni luftën dhe presidenti Zelenski nuk do të mbajë fjalën”, iu përgjigj Rama.
“Zoti president, dua të tërheq vëmendjen tuaj se ju sot po veproni si kryetar i Këshillit të Sigurimit, nuk po flisni në cilësinë tuaj kombëtare si përfaqësues i Shqipërisë. Objektivi juaj është të zhvilloni një takim, siç sanksionohet në rregulloren e Këshillit të Sigurimit, në vend që të jepni vlerësime politike ne cilësinë tuaj si kryetar i këshillit të sigurimit”, deklaroi përfaqësuesi i delegacionit rus.
“Sapo iu përgjigja pasi mu drejtuat si kryeministër shqiptar e pasi vazhduat të thonit gjëra të pa sakta lidhur me atë çka është procedura këtu. Nëse nuk doni të përgjigjem në cilësinë e kryeministrit shqiptar mos më provokoni”, iu përgjigj Rama.
Ish-ambasadori i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara Ksenonfon Krisafi, përplasjen e Ramës me Rusinë në Këshillin e Sigurimit e ka parë si një moment që Shqipëria tregoi dinjitet duke hedhur poshtë pretendimet për thyerje të rregullave të kësaj organizate.
Volodymir Zelenksi vuri theksin te formula e paqes dhe reformimi i KS.
“Tërheqje e plotë e trupave ruse, përfshirë flotën e Detit të Zi dhe tërheqjen e mercenarëve nga i gjithë territori sovran i Ukrainës. Kthim i menjëhershëm i kontrollit të territorit dhe kontrollit të Ukrainës dhe transportit ekonomik dhe të Detit të Zi. Vetëm përmbushja e këtyre elementëve do të çojë në ndërprerjen e sulmeve. Nuk duhet të presim, të veprojmë tani. Ndërsa përgatitja formulën e paqes së Ukrainës, mendoja se parimet e OKB janë ato që mundësojnë që formula ukrainase e paqes të bëhet globale. Sistemi aktual i OKB ju bën me më pak ndikim sesa pushteti i vetove nga komandohet e shpërdorohet nga disa, siç po bën Rusia. Reformimi i OKB duhet të kthehet në proces dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me përfaqësimin, por reformimin e vetos. Kjo do i rikthente fuqinë OKB-së”, deklaroi Zelensky.
Duke folur si përfaqësues i Shqipërisë, Edi Rama e bëri edhe njëherë të ditur qëndrimin e vendit tonë në mbështetje të Ukrainës. Por ai u kërkoi të gjitha shteteve të OKB që për të gjetur paqen dhe sigurinë fillimisht duhet të zgjidhet dilema që në gjenezë, të ndahet se kush është agresori dhe cila viktima në këtë luftë, ku kanë humbur jetën më shumë se 26 mijë viktima.
“Një agresion në zemër të Europës nuk mund të jetë vetëm problemi i Europës, siç disa mendojnë, thonë apo pëshpëritin. Cinikët mund të mendojnë se ky është një problem që i ka rënë për hise perëndimit demokratik që të merret me të. Madje dhe mërmërisin që në fakt çfarë ka bërë, do të bëhet. Duke nënkuptuar se është një lloj haku i natyrshëm, për diçka që mund të ketë ndodhur diku në kohë të tjera. Duke pasur parasysh vringëllimën e pajustifikuar bërthamore, që vjen hera-herës nga nivele të ndryshme të Kremlinit, kemi të drejtë të trembemi që një ditë kjo çmenduri të shndërrohet edhe në diçka më të keqe. E mos harroni që po është po aq e imagjinueshme sot, sa ishte një luftë dje e tillë dje. Mund të kemi pikëpamje të ndryshme për mënyrën se si do të përfundojë kjo luftë dhe ti diskutojmë, por do të ishte një fyerje për inteligjencën e kësaj organizate në qoftë se nuk pranojnë njëzëri dhe nuk themi me zë të lartë, kush është agresori dhe kush është viktima e agresionit. Është i njëjti dallim i mprehtë midis luftës e paqes, siç do t’iu kujtonte Tolstoi. Kthehuni dhe lexojini edhe njëherë. Shqipëria e ka bërë zgjedhjen e saj që të ngrihet e të qëndrojë për paqen, zhvillimin e përparimin. Të qëndrojë në krah të agresuarit dhe jo agresorit. Të qëndrojë përkrah dhe me Ukrainën”, vijoi Rama.
Për të argumentuar dëshirën e Rusisë për agresion ndaj shteteve të tjera, Kryeministri Rama u solli në vëmendje lidërve botërore ndikimin e Kremlinit për të destabilizuar Ballkanin Perëndimor. Ndërsa përçoi mesazhin se Pavarësia e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm.
Në të njëjtën linjë ka qenë edhe apeli i Presidentit Bajram Begaj në Asamblenë e Përgjithshme të OKB.
“Në fakt Rusia e të tjerë janë përpjekjet ta përdorin, apo më shumë ta keqpërdorin, realitetin për të ndryshuar Ballkanin Perëndimor, sidomos lindjen e Republikës së Kosovës, për të justifikuar ëndrrat e tyre imperiale apo makthet e tyre që kanë eksportuar në Ukrainë. Pavarësisht sa përpiqeni, Kosova, pavarësia, e së cilës është sanksionuar nga gjykata ndërkombëtare e penale, kreu 14-të i kësaj karte të Kombeve të Bashkuara. Gjykata ndërkombëtare penale nuk mund të shërbejë si pretekst për rrëmbim territoresh apo aneksim të paligjshëm”, tha Rama.
“Shqipëria mbështet dialogun e vështirë, që po vijon midis Kosovës dhe Serbisë të lehtësuar nga ndërmjetësimi i kujdesshëm i Bashkimit Evropian dhe mbështetja e fortë e Shteteve të Bashkuara. Në të njëjtën kohë, Shqipëria mbetet e ndjeshme ndaj integritetit dhe prosperitetit të Kosovës. Kosova ia ka arritur të shërojë shumë plagë të thella nga e kaluara tragjike. Të drejtat e serbëve në Kosovë pasqyrojnë normat dhe vlerat evropiane, e njëjta gjë duhet të vlejë edhe për pakicën shqiptare në Luginën e Preshevës, në jug të Serbisë. Fatkeqësisht, ne mbetemi ende të shqetësuar për bërjen jo aktive të adresave të tyre të banimit dhe mungesën e investimeve të konsiderueshme, si dhe stimujve ekonomikë në atë rajon. Kosova ka dëshmuar se dhimbja nuk ka nevojë të lindë armiqësi; ajo duhet të përkthehet në mirëkuptim dhe mbështetje. Gjithsesi Kosova është ende në pritje të njohjes së pavarësisë së saj nga shumë vende. Shpresoj që këto vende së shpejti do ta njohin kontributin e Kosovës për një komunitet global më të drejtë, më paqësor dhe do t’i japin Kosovës njohjen që meriton. Njiheni pavarësinë e Kosovës!”, tha Begaj
Ksenofon Krisafi thotë për A2 CNN se paraqitja e Shqipërisë në OKB ishte një moment historik duke e vendosur vendin tonë në një pozicion të rëndësishme. “Në mënyrë simbolike Shqipëria ishte presidenti I botës. Ne kemi qenë një vend pa asnjë peshë”.
Presidenti i Ukrainës nuk u mjaftua vetëm me fjalime, ai shfrytëzoi këtë vizitë në selinë e OKB-së për të bindur vendet anëtarë të NATO-s që ta mbështesin vendin e tij për integrimin në aleancën euroatlantike. Me emocionet e udhëheqësit të Këshillit të Sigurimit, kryeministri shqiptar firmosi deklaratën për mbështetje të pakushtëzuar të Ukrainës.
Një javë në SHBA i kanë shërbyer presidentit Bajram Begaj të zhvillonte takime me zyrtarin e lartë të SHBA, Gabriel Escobar për të diskutuar për sigurinë e Ballkanit Perëndimor si dhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Normalizimi i marrëdhënies mes Prishtinës dhe Beogradi me ndërmjetësimin e SHBA dhe BE-së ka qenë edhe pjesë e takimit të kreut të shtetit shqiptar me përfaqësuesin e lartë të BE Joseph Borrell.
Pjesë e agjendës së Begajt kanë qenë edhe sekretari I Përgjithshëm e OKB si dhe homologia e Kosovës Vjosa Osmani.
Një moment i rëndësishëm kryesimi i Këshillit të Sigurimit shënoi edhe për ministrin tonë të Jashtëm Igli Hasani, që çeli sesionin e takimeve në OKB. Një detyrë që e mori vetëm 2 ditë pasi ishte betuarnë krye të diplomacisë shqiptare.
Ndërsa Edi Rama të vetmin takim dypalësh të shpërndarë për mediat nga Nju Jorku e kishte me Kancelarin Gjerman Olaf Scholz, i cili për disa ditë pritet të rikthehet në Tiranë për Procesin e Berlinit
Në fund të dhjetorit Shqipërisë i përfundon mandati si anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit, ndërsa Rama pritet të kthehet sërish në Nju Jork vitin e ardhshëm, pasi në radhë të përcaktuar i takon kryeministrit që të mbajë fjalën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. (A2 Televizion)