Rritje ekonomike e sfiduar nga burimet që po shterojnë

Nga A2 CNN
1 Tetor 2023, 15:39 | Ekonomi
Rritje ekonomike e sfiduar nga burimet që po shterojnë

Duke përllogaritur se si ka ndryshuar vlera totale e përkthyer në para e produkteve dhe shërbimeve në 11 degët kryesore njohur si Prodhimi i Brendshëm Bruto, Instituti i Statistikave raportoi se në 3-mujorin e dytë të vitit, pra periudhën prill-qershor, ekonomia e Shqipërisë u rrit me 3.23 për qind.

Pra krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, nëse bujqësia, industria, ndërtimi, tregtia, informacioni dhe komunikimi, aktivitetet financiare, ato të pasurive të paluajtshme dhe ato profesionale, bashkë me administrimin publik, shërbimet dhe taksat prodhuan 100 milion lekë të mira dhe shërbime, në 3-mujorin e dytë të këtij viti ato kontribuuan me 103 milionë e 230 mijë lekë. Pra vlera e shtuar në ekonomi në harkun e muajve prill-qershor të këtij viti është zgjeruar me 3 milionë e 230 mijë lekë.

Mbi 66% e rritjes ekonomike erdhi nga pasuritë e paluajtshme

Një rritje ekonomike në  nivelin 3.23 për qind do të ishte lajm deri diku i mirë nëse ajo do të përfshinte të gjithë sektorët. Por, kjo nuk ndodhi. INSTAT raportoi se zgjerimi Prodhimit të brendshëm Bruto në 3-mujorin e dytë të vitit erdhi kryesisht si kontribut i ndërtimit me 1.43 pikë përqindje, ndërsa 0.72 pikë përqindje të tjera erdhën nga aktivitetet e pasurive të patundshme.

Pra nga 3.23 për qind që ishte rritja totale e ekonomisë, 2.15 për qind erdhi nga ndërtimi dhe shit-blerja apo dhënia me qira e pronave si për qëllime rezidenciale ashtu edhe për biznes. Pra 66.5 për qind e rritjes ekonomike në prill-qershor edhe vetëm nga këto dy degë të ekonomisë, ndërsa 9 të tjerat kontribuuan me vetëm 1,08 pikë përqindje.

Shqipërisë po i shterojnë burimet e rritjes ekonomike

Ndërkohë bujqësia, sektori me të cilin jeton dhe punon gati gjysma e popullsisë kontribuoi negativisht në rritjen ekonomike. Për ta kuptuar më thjesht, nëse në tremujorin e dytë të një vit më parë ajo që prodhoi bujqësia vlente 100 mijë lekë, këtë vit ajo vlen 99 mijë e 997 lekë.

 “Kur flitet për rritjen ekonomike duhen marrë në konsideratë debatet e diskutimet e shumta me natyrë ekonomike, financiare e sociale, të cilat nuk e absolutizojnë apo cilësojnë atë si shkopi magjik, që zgjidh gjithçka. Rekomandohet që këto të vlerësohen e të shoqërohen gjithnjë me pyetje e konkluzione të tilla si: në çfarë niveli rritja ekonomike shndërrohet në zhvillim ekonomik e social?, sa dhe si “përkthehet” ajo në mirëqenie dhe progres? Kemi të bëjmë me rritje ekonomike sasiore apo cilësore?, si ndikon rritja ekonomike në zhvillimin e qëndrueshëm?- shpjegon studiuesi i çështjeve ekonomike Selim Blliku.

Industria e degraduar nuk ka më se çfarë të japë

Edhe më e ndjeshme është rënia te industria nxjerrëse, të mirat dhe materialet e së cilës ranë me 0.31 për qind në harkun e muajve prill-qershor.

“Kolapsi i degës së industrisë është rezultat i një dështimi afatgjatë të Shqipërisë për të industrializuar ekonominë e saj. Përgjithësisht kjo degë ushqehet vetëm nga shfrytëzimi i pasurive natyrore të vendit, si nafta, kromi bakri, dhe prodhimi i energjisë. Kur konjukturat ndërkombëtare të çmimeve të lëndëve të para janë të favorshme dhe kushtet atmosferike të mira, industria rritet. Kur kushtet përkeqësohen ajo tkurret. Ndërsa manifaktura, aktiviteti që duhet të ishte baza e kësaj dege, zor se shkon përtej aktivitetit të fasonëve.” – argumenton Bardhi Sejdarasi, gazetar ekonomie dhe ekspert i hidrokarbureve.

 “Bumi” i turizmi nuk reflektoi te turizmi

Në harkun e muajve prill-qershor Shqipërinë rezulton ta kenë vizituar më shumë se 2.3 milionë turistë. Ndërkohë në po të njëjtën periudhë kohore, kontributi i turizmit në ekonomi ishte më pak se 0.2 pikë përqindje.  

“Në rrafshin e zhvillimit ekonomik, bumi i pretenduar i turizmit që po kalon Shqipëria, rezulton një mirazh. Nëse kjo është rezultat i informaliteti apo rezultat i faktit që Shqipëria nuk tërheq vlerë të lartë të shtuar, kjo pak rëndësi ka. Pikërisht tani ekonomia ka këtë pamje paradoksi.” – shpjegon pedagogu dhe eksperti i turizmit, Ferjolt Ozuni.

Deri në fund të vitit Ministria e Financave dhe Ekonomisë parashikon një rritje ekonomike mbi nivelin e 3 për qind. Këto pritshmëri optimiste nuk mbështeten edhe aq shumë nga institucionet ndërkombëtare. Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim pret që rritja ekonomike këtë vit në Shqipëri të jetë 2.5 për qind. Raporti i fundit i publikuar këtë stinë, e mban të pandryshuar edhe parashikimin e bërë në pranverë. Në një kohë që ekonomia shqiptare po kalon “ditë të vështira” si pasojë edhe e zhvillimeve globale, mbështetja vetëm mbi degë të cilat mund të jenë edhe sezonale mund të kthehet pengesë për vendin, qytetarët dhe bizneset vlerësojnë ekspertë të ekonomisë.

“Kemi nevojë për një model të ri ekonomik, larg atij të vjetëruar e të mbështetur vetëm te prodhimi e shërbimet. Na duhet të hedhim sytë te inovacione dhe mbi të gjitha te buriet tona njerëzore.” – vlerëson eksperti i ekonomisë, Eduart Gjokutaj.

Edhe 40 vite të tjera për të arritur ekonominë e vendeve të BE

Stimulimi i rritjes ekonomike bën pjesë në objektivat më të rëndësishëm të politikave publike. Debatet politike, ekonomike e sociale vazhdojnë të kenë në thelbin e tyre “gjetjen e mjeteve dhe mënyrave për të nxitur rritjen ekonomike si rruga kryesore e zhvillimit ekonomik.”

E shprehur si përqindje në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, rritja ekonomike paraqitet nga ekonomistët dhe politikanët si “rruga e vetme që të çon drejt progresit social dhe mirëqenies”, si “çelësi i vetëm për krijimin e pasurisë së individëve dhe shteteve”, si “pasuri që, pastaj, mund të përdoret për shërbime të ndryshme publike apo të rishpërndahet për ata që kanë nevojë në kuadrin e politikave sociale.”

Sipas Bankës Botërore, me një rritje ekonomike prej mesatarisht 4 për qind, Shqipërisë do t’i duhen rreth 36 vite që të arrijë mesataren e të ardhurave mesatare për frymë të vendeve të BE-së. Ndërkohë nëse do të ndiqet kjo ecuri e shënuar deri në gjysmën e parë të vitit, vendit do t’i duhen më shumë se katër dekada për të arritur këtë objektiv. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos