Një aksident i rëndë, ku është përfshirë edhe një automjet policie, ka ndodhur mesditën e sotme në qytetin e Vlorës. Ngjarja është regjistruar në rrugën Trans ballkanike, ku një automjet i Policisë së Shtetit është përplasur me një mjet tip “Range Rover”.
Si pasojë e përplasjes së fortë, mjeti është rrotulluar disa herë, ndërsa i plagosur ka mbetur një efektiv policie. Po ashtu, plagë të rënda ka marrë edhe punonjësi i një servisi në qytet, ndërsa të dy janë dërguar për marrjen e ndihmës mjekësore.
Mësohet se, sipas burimeve nga policia, drejtuesi i mjetit tjetër ka qenë nën efektin e alkoolit, ndërsa kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të këtij aksidenti.
“Vlorë/Informacion paraprak: Rreth orës 13:40, në rrugën transballkanike, në vendin e quajtur “Ish-agjencia e vjetër”, automjeti tip “Range Rover” me drejtues shtetasin A. M. është përplasur me automjetin e Policisë Kufitare Vlorë, me drejtues punonjësin e Policisë, shtetasin A. I. Si pasojë janë dëmtuar punonjësi i Policisë dhe pasagjeri në automjetin që ai drejtonte, shtetasi V. M., të cilët ndodhen në spitalin e Vlorës, jashtë rrezikut për jetën. Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po kryen veprimet për sqarimin e rrethanave të aksidentit.” (A2 Televizion)