I penduari i drejtësisë i nxorri emrat se do t’i eliminonin, merren në mbrojtje dy prokurore

Nga A2 CNN
2 Tetor 2023, 09:23 | Kronikë
I penduari i drejtësisë i nxorri emrat se do t’i eliminonin,

Këshilli i Lartë i Prokurorisë iu cakton mbrojtje prokurores së SPAK, Doloreza Musabelli  dhe prokurores së shkarkuar të Lushnjës, Merita Selimi.

Mbrojta ndaj prokurores Musabelli dhe Selimit, që ende e ka statusin e magjistrates, ka ardhur pas rrëfimit të të penduarit të drejtësisë, Artan Tafani, sipas të cilit, dy prokurorët ishin në shënjestër të Laert Haxhiut.

Sipas bashkëpunëtorit të drejtësisë, të dyja prokuroret janë ndjekur për disa muaj, ku përgatitja e Laert Haxhiut dhe anëtarëve të grupit të tij, ishte vrasja e tyre ose të familjarëve.

Prokurorja Selimi hetoi Haxhiun, Orgest Bilbilin dhe Anterio Kaloshin për masakrën e vitit 2017, ku mbetën të vrarë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, ndërsa u plagosën Bujar Turku dhe Marjus Xhepexhiu.

2 vite hetime dhe më pas Selimi shpalli moskompetencë për dosjen, duke ia kaluar SPAK dhe prokurores Doloreza Musabelliu, ku aktualisht ka dënuar me burgim të përjetshëm Orgest Bilbilin dhe Anterio Kaloshin, ndërsa ka ende në fazë gjykimi Laert Haxhiun, i paekstraduar akoma nga Greqia.

Merita Selimi në muajin Korrik 2023 u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (Vetting) me dy votat e Brunilda Bekteshit, Etleda Çiftja. Çështja e saj ka kaluar në KPA, ku më pas vendimmarrja do jetë përfundimtare, nëse Selimi do të dalë apo jo nga sistemi i drejtësisë.

Gjykata e Elbasanit la në burg të arrestuarit

Kujtojmë se, ditën e djeshme, nën masa të rrepta sigurie u është komunikuar në gjykatën e Shkallës së Parë në Elbasan masa e arrestit me burg, 12 anëtarëve të grupit kriminal që drejtohet nga Laert Haxhiu.

Seanca për të arrestuarit në kuadër të operacionit policor “Never Forget”, me prokuror Kreshnik Ajazin dhe gjyqtare Megi Strakosha ka nisur rreth orës 11:00 dhe ka zgjatur përreth dy orë.

Forca të shumta policie rrethuan godinën që prej orëve të para të mëngjesit, duke krijuar një kordon por edhe një perimetër sigurie, që pengoi kalimin e automjeteve në rrugën përballë hyrjes së gjykatës.

Grupi në fjalë ra në pranga pas hetimeve për grabitjen e një exchange në zonën e Astirit, ku policia iu vu në ndjekje 39-vjeçarit Artan Tafani.

Pas 3 muajve nën survejim, hetuesit arritën në përfundimin se Tafani ishte anëtar i bandës së drejtuar nga Laert Haxhiu, pasi parkonte në garazhin personal të së dashurës së tij, Klea Gjata.

Me vënien në pranga të Tafanit dhe bashkëpunimin e tij me drejtësinë, u arrit të zbardhen 17 ngjarje të rënda kriminale që janë kryer midis viteve 2018-2021, mes të cilave 6 vrasje të realizuara nga grupi i Haxhiut në Peqin, Korçë, Tepelenë dhe Athinë.

Referuar dëshmisë së të penduarit dhe provave të tjera të mbledhura nga organi i akuzës u zbardh vrasja e Alban Semakut, i njohur edhe si Etlon Mermali, ngjarje e ndodhur më 17 tetor 2021, pranë lumit Shkumbin në Peqin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos