Komisioneri evropian për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarçiç, ka përsëritur se kryesuesit e sulmit në Banjskë duhet të vihen para drejtësisë” dhe se sulmi nuk duhet të përdoret si arsyetim për shmangie të vëmendjes nga dialogu Kosovë-Serbi. Ai e ka quajtur të paprecedentë sulmin e kryesuar nga Milan Radoiçiç ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Siç ka thënë Lenarçiç, sasia masive e armëve që u konfiskuan ngre shqetësime serioze. “Ky është alarm i fortë që situata në veri të Kosovës është ekstremisht serioze”.
Lenarçiç në Parlamentin Evropian ku po diskutohet rreth zhvillimeve të fundit në Kosovë dhe dialogun, ka deklaruar se Bashkimi Evropian pret Serbisë që të bashkëpunojë plotësisht. Ndërkaq, shqetësuese e ka theksuar edhe retorikën e Beogradit.
“BE-ja po e ndjek nga afër hetimet në vijim dhe pret që agresoret të vihen para drejtësisë dhe që Serbia të bashkëpunojë plotësisht duke përfshirë edhe në parandalimin e kontrabandimit të armëve afër vijës kufitare administrative. Retorika nga Beogradi sa i përket 24 shtatorit është tejet shqetësuese, po ashtu mënyra në të cilën dita e zisë është shpallur, ajo që është e qartë në këtë fazë është që ky operacion tregon një armatim të rëndë ushtarak dhe përbën përshkallëzim madhor që shkon në kundërshtim me thirrjet e BE-së për depërshkallëzim”.
Lenarçiç ka thënë se zgjedhjet e parakohshme në veri mbesin zgjidhje kyçe për situatën e tensionuar.
Rezulta për agresionin serb në veri të Koosvës pritet të miratohet në seancën e radhës së parlamentit Europian që do të zhvillohet në datat 16-19 nëntor. (A2 Televizion)