Qarabag bëri detyrën në transfertë, duke fituar 0-2 ndaj Neftci Baku, në ndeshjen e vlefshëm për kampionatin në Azerbajxhan. Në takimin e gjashtë të Premier League në tokën azere, Redon Xhixha ka gjetur golin e parë për këtë edicion futbollistik.
Nga fare pranë portës, me të djathtën, lojtari shqiptar nuk e pati të vështirë të dërgojë topin në rrjetë. Ky gol i minutës së 88-të ishte i sigurisë për Qarabag, pasi i pari mban firmën e Juninho në fillimin e pjesës së dytë. Në sezonin e parë 25-vjeçari shënoi vetëm një gol në kampionat, në 13 takime.
Edhe Arbnor Muja ishte protagonist. Sulmuesi shqiptar ka gjetur golin në kampionat, me skuadrën e Antwerp. Pasi realizoi edhe në Champions, lojtari kuqezi është takuar përsëri me golin. Muja “tundi rrjetën” në ndeshjen ndaj Eupen, takim ky i fituar me shifrat 4-1.
Futbollisti tregon edhe një herë se është në formë të mirë para ndeshjes së Shqipëri-së pas pak ditësh, sfidë kjo ndaj Çekisë që është mjaft e rëndësishme për rrugëtimin drejt kualifikimit të madh në Euro 2024.
Ndërkohë, gol ka shënuar edhe Tuçi në përballjen mes Lokomotivës së Zagrebit dhe Goricës, e cila përfundoi me rezultatin 1:1. (A2 Televizion)