Klubi i futbollit Ballkani në Kosovë ka dalë me një reagim pas skenave që ndodhën mbrëmjen e djeshme në derbin me Prishtinën. Klubi ka shprehur shqetësimin për sulmet verbale dhe fizike ndaj trajnerit të ekipit, Ilir Daja.
Sipas tyre, trajneri shqiptar u sulmua nga një person, i cili është vëllai i një zyrtari të klubit kryeqytetës, që hodhi shishe në drejtim të trajnerit. Ballkani kërkon nga organet kompetente të Federatës së Futbollit të Kosovës që të ndërmarrë masa për këtë incident.
Reagim! Klubi i Ballkanit i ka marr me shqetësim skenat që ndodhën mbrëmë në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet, në ndeshjen ndaj Prishtinës.
Trajneri ynë, Ilir Daja, ka qenë cak i sulmeve të vazhdueshme verbale por edhe fizike nga persona që në stadium nuk ishin për futboll, por me qëllime të tjera jo sportive.
Në përfundimin e pjesës së parë, vëllau i një zyrtari të klubit vendas, ka hedhur shishe në drejtim të trajnerit Daja. Duke mos u ndalur me kaq, e fatkeqësisht para syve të sigurimit, ai dhe disa të tjerë në vazhdimësi kanë qëndruar mbi bankinën ku ishte skuadra jonë, duke ofenduar e kërcënuar trajnerin dhe stafin tonë teknik.
Fc Ballkani është i indinjuar nga kjo ngjarje, andaj kërkon nga organet kompetente si brenda ashtu edhe jashtë Federatës, që ta trajtojnë me seriozitet këtë situatë sepse futbollin të cilin po mundohemi ta dërgojmë sa më shumë përpara, gjërat e tilla e kthejnë prapa.
Puna e madhe e Fc Ballkanit, përfshi trajnerin Daja dhe futbollistët tanë, i ka sjellur dobi krejt ekipeve të Superligës, në këtë rast edhe vetë Prishtinës, andaj është e pakuptueshme që të lejohen lëshime të tilla. #FCBallkani (A2 Televizion)