Të dhënat janë pozitive dhe tregojnë Interin si një nga favoritët për të ngritur trofeun e Seria A në fund të sezonit.
Por dy pikët e lëshuara kundër Bolonjës dhe tri të humbura kundër Sassuolos mbeten të freskëta në mendjen e çdo tifozi zikaltër, e po ashtu ndikojnë te drejtuesit për të zbehur disi gjykimin.
Edhe pse Interi po udhëton me një ritëm pozitiv, pasi ka 7 pikë më shumë se një vit më parë dhe 21 gola të shënuar (sulmi më i mirë), e 5 të pësuar (mbrojtja më e mirë), Zhang duket se po mendon për një “xhevahir” në repartin ofensiv.
Inzaghi ka kërkuar ekuilibër dhe qartësi, por me dëmtimin e Arnautoviç që në nisje të kampionit, çështja e një sulmuesi shtesë pritet të trajtohet dhe të zgjidhet që në janar.
Mes Lautaro dhe Thuram harmonia është pothuajse e përsosur me 12 gola dhe 9 asistime në kampionat, por Sanchez është i padobishëm në finalizim dhe ka pak ndikim në ndërtimin e lojës.
Duket se paratë e Champions League plus ato që kualifikimi në Kupën e Botës për Klube mund të garantojë në buxhet, pritet që të investohen shpejt nga dyshja Marota-Ausilio.
Në sulm ka një listë me kandidatë potencialë, që nis me Taremin (mbyll kontratën me Porton në qershor) dhe përfundon me yllin e kombëtares kuqezi Armando Broja, i cili është aktivizuar dy herë titullar për Chelsea pas dëmtimit të gjatë.
Emri i Brojës u përfol edhe gjatë verës në Milano, ku kuqezinjtë e Milanit tentuan me çdo kusht të nënshkruanin me sulmuesin shqiptar, por Chelsea refuzoi të pranonte ofertat për të.
Ndërkohë, dy alternativa të tjera që po merren në konsideratë janë edhe Gimenez nga Feyenoord dhe Krstovic nga Leçe. (A2 Televizion)