Zoran Zekiç nuk është më trajner i Partizanit. Mediat kroate janë të sigurta se Zekiç ka ndërprerë kontratën me “Demat” dhe është gati t’i bashkohet Osijekut në Kroaci.
Siç raportohet, klubi kroat madje ka paguar dhe 100 mijë euro për ta bërë për vete teknikun e kuq, i cili e dëshiron shumë këtë transferim. Ai po bën çmos që kjo lëvizje të kryhet, madje ka rënë dakord dhe për detajet e fundit në kontratë.
Siç shkruhet në mediat kroate, trajneri është ulur në një bisedë të gjatë me Presidentin e Partizanit, Gazmend Demi dhe numri një i të kuqve ka pranuar këtë transferim. Karrierën e tij si futbollist, ai e ka nisur pikërisht në këtë skuadër, ku u formua dhe bëri hapat e parë si futbollist profesionist.
E ardhmja e tij te kryeqytetasit ka kohë që diskutohet, ndonëse tekniku e ka dashur gjithmonë një rikthim në shtëpi. Zoran Zekiç mori drejtimin e Partizanit në qershor të këtij viti dhe drejtoi ekipin e kuq në kupat e Europës. Me Partizanin që gjithmonë ka objektiva maksimal, tekniku Zoran Zekiç ka grumbulluar 11 pikë pas 6 javësh kampionat. (A2 Televizion)