A2 CNN në Izrael, blindohet Tirana, Shqipëria pranë Euro 2024, inflacioni dhe Lista Serbe.
Izraeli po përgatitet për të nisur sulmin tokësor në Gaza, por shumë pak palestinezë i janë përgjigjur ultimatumit për t’u larguar nga shtëpitë e tyre në veri. Situata atje vijon të jetë e tensionuar, bombardimet dëgjohen herë pas here. Grupi i A2 CNN ndodhet në Izrael, për të raportuar mbi atë që po ndodh aty. Gazetari Jul Kasapi takoi atje një familje hebreje, të strehuar në Shqipëri gjatë kohës së Luftës II Botërore, pikërisht në shtëpinë e gjyshit të tij.
Tirana do të pres për herë të dytë Samitin e Procesit të Berlinit. Shqipëria ka hyrë në një rrugë pa kthim pas, për integrimin në Bashkimin Europian. Liderët e rajonit por edhe personalitetet e larta të vendeve të BE-së, do të zbresin në Tiranë për një tjetër mbledhje të rëndësishme, nga ku synohet anëtarësimi i gjithë Ballkanit Perëndimor në komunitetin evropian. Për të garantuar sigurinë e kësaj mbledhje, Policia e Shtetit do të bllokojë disa rrugë në kryeqytet për lëvizjen e makinave dhe këmbësorëve.
Kombëtarja shqiptare e futbollit mundi 3-0 Çekinë në kualifikueset e Kampionatit Europian, duke u ngjitur në krye të grupit, kur kanë mbetur edhe dy ndeshje për t’u luajtur. Kuqezinjtë janë shumë pranë kualifikimit për herë të dytë në një turne të tillë, pas atij të vitit 2016 në Francë.
Çfarë u duhet kuqezinjve për t’u kualifikuar në EURO 2024?
Pavarësisht tendencës ulëse të inflacionit në 4 muajt e fundit dhe kthesës rritëse në shtator, qytetarët vijojnë të përballen me çmime të larta të ushqimeve. Instituti i statistikave bën të ditur se në shtator qytetarët blenë 24.1% më shtrenjtë perimet. Më pas vjen “mishi” me 9,4 %. Ndërsa qumështi, djathi dhe vezët u blenë me 8,3 % më shtrenjtë. Pas tyre vijnë frutat dhe buka. Përballjen më të madhe me tregun e kanë të moshuarit apo kryefamiljarët.
Lista Serbe është e gatshme të marrë pjesë në zgjedhjet e reja komunale në veriun e Kosovës. Është kryetari i partisë, Goran Rakiç që e konfirmoi diçka të tillë për mediat, pak pasi presidenti Aleksandar Vuçiç iu bëri thirrje serbëve të Kosovës të ndërmarrin hapa për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në Mitrovicën Veriore, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Rakiç deklaroi se partia më e madhe e serbëve në veri, e cila ka mbështetjen e Beogradit, e mori vendimin në bashkërendim me presidentin Vuçiç. Ndërkohë, Policia e Kosovës vijon të zbulojë baza armatimesh në veri të vendit, çka tregon se situata vijon të mbetet e tensionuar.
Parashikimi i motit, nga Tanja Porja, meteorologe e A2 CNN
Emocionuese! Gazetari i A2 CNN takon në Izrael gruan hebreje që gjyshi i tij shpëtoi nga nazistët
“Izraeli do që ne të ikim por nuk do t’i bindemi”, palestinezi flet për A2CNN nga Jeruzalemi
Elektrizuese, Shkurte Fejzaj i “jep fjalë” mijëra zemrave kuqezi
Analiza e një ndeshje që nuk do të harrohet kurrë. Ja si e mposhti Sylvinho Çekinë (A2 Televizion)