
Basha sërish në krye të PD, riorganizimi i PS, tërheqja e kursimeve të shqiptarëve, akuzat e Vuçiç dhe alarmi i Polonisë.
1. Lulzim Basha, kryetar i PD për herë të katërt
Lulzim Basha u shpall kryetar i Partisë Demokratike, për herë të katërt, pasi fitoi të shtunën zgjedhjet e organizuara brenda partisë. Në një proces që nuk njihet as nga grupimi i “Rithemelimit”, por as nga një tjetër fraksion i PD-së zyrtare, Basha arriti të merrte pa shumë vështirësi votat që duheshin për të fituar. Një ditë para zgjedhjeve, një grup deputetësh dërguan në gjykatë kërkesën për çregjistrimin e Bashës si kryetar i partisë, meqë kishte dhënë dorëheqjen prej më shumë se një viti.
Klikoni këtu për të gjitha lajmet rreth krizës brenda PD
2. Qeveria mblidhet në Tepelenë për “riorganizim dhe reforma”
Riorganizimi dhe reformat ishin kryefjalë e takimit dyditor të qeverisë në Tepelenë. Kryeministri Edi Rama tha për mediat se është diskutuar nevoja për të riorganizuar të gjithë procesin qeverisës, për ta nisur sesionin e ri me një impuls të ri. Gjithashtu ai tha se do të forcohet roli i zëvendës ministrave. i pyetur për vendimet e marra në asamblenë e Partisë Socialiste, ku Sekretari i Përgjithshëm Damian Gjiknuri u shkarkua bashkë me gjithë sekretariatin, Rama mohoi që kjo vendimmarrje të jetë ndikuar nga faktorë të jashtëm. Sipas tij largimi i Gjiknurit nga posti i rëndësishëm në parti nuk lidhet me hetimet e SPAK për inceneratorët. (Më shumë nga politika)
3. Shqiptarët tërheqin kursimet nga bankat për të përballuar jetesën
Shqiptarët patën më pak para’ të kursyera në banka muajin e shkuar. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se muajin e shkuar totali i depozitave të familjeve në lekë ra në 429.5 miliardë lekë nga gati 437 miliardë lekë qershorin e një viti më parë. Për të përballuar jetesën, shqiptarët duket se kanë tërhequr nga bankat edhe kursimet në euro. Të dhënat nga Banka Qendrore tregojnë se totali i depozitave në valutën europiane në fund të muajit të shkuar ra në 511,5 milionë euro nga 527,9 milionë qershorin e një viti më parë. (Lexo më shumë)
4. Vuçiç akuzon Kurtin: Dëshiron konflikt mes Serbisë dhe NATO-s
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç akuzon kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se dëshiron ta tërheqë Serbinë në një konflikt me NATO-n. Duke folur në një intervistë për televizionin Prva, pretendoi se po bën maksimumin për të ruajtur paqen dhe se lidhur me këtë bisedoi dhe me sekretarin e përgjithshëm të aleancës ushtarake perëndimore. Armatimet e marra nga ushtria e Kosovës e kanë shqetësuar dukshëm, aq sa Vuçiç njoftoi se do të bisedojë personalisht me presidentin e Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, për dorëzimin e dronëve “Bajraktar”, me qëndrimin se një lëvizje e tillë është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. (Lexo më shumë)
5. Polonia ngre alarmin për “luftë hibride” të Wagner në territorin e saj
Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, ngriti alarmin të shtunën se anëtarë të grupit mercenar Wagner, të cilët po qëndrojnë në Bjellorusi, mund të futen në vendin e tij dhe shtete të tjera kufitare që janë pjesë e BE-së dhe NATO-s, duke u infiltruar si refugjatë. Ai paralajmëroi se kjo mund të jetë një “luftë hibride” e Rusisë për të shkaktuar probleme brenda aleancës. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës akuzuan Rusinë se po përpiqet të blejë armë nga Koreja e Veriut. Sekretari i Shtetit, Antony Blinken tha se ky ishte qëllimi i vizitës së ministrit rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, në Penian gjatë kësaj jave.
Parashikimi i motit, çfarë na pret në muajin gusht?
Video për të mos u humbur
Përpiqet t’i shpëtojë policisë, hajduti bie drejt e në koshin e plehrave
Dëshmitë për UFO-t dëgjohen në kongresin amerikan (A2 Televizion)