
1. BE rrit presionin ndaj Kosovës
Liderët e Bashkimit Europian dhe udhëheqësit e vendeve anëtare miratuan konkluzionet për tensionet Kosovë-Serbi në samitin e Këshillit Europian. Pas diskutimeve dy ditore në Bruksel, zyrtarët dolën me një qëndrim të përbashkët duke dënuar incidentet e dhunshme në veri dhe kërkuan uljen e menjëhershme të tensioneve, bazuar në elementet kyçe të përcaktuara nga BE më 3 qershor.
Palët duhet të krijojnë kushtet për zgjedhje të parakohshme në të katër komunat në veri të Kosovës. Dështimi në uljen e tensioneve do të ketë pasoja negative. Është thelbësore që dialogu i lehtësuar nga BE nën udhëheqjen e Përfaqësuesit të lartë dhe implementimi i shpejtë i marrëveshjes për normalizim dhe i aneksit të zbatimit të vazhdojë. Kjo përfshin edhe formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Konkluzioni 41 i Samitit të Këshillit Europian
2. Puna e SPAK, Kushtetuta dhe rivaliteti i brendshëm në PS, Fatmir Xhafaj në "Intervistë" me Merita Haklaj
Ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, lavdëroi punën e SPAK, duke thënë se për herë të parë në historinë e demokracisë së vendit tonë po goditet pandëshkueshmëria si fenomen dhe korrupsioni në nivelet e larta. I ftuar në "Intervistë" me Merita Haklaj, Xhafaj foli edhe për nevojën e një sistemi të ri elektoral, si dhe reflektimin brenda PS në kushtet e mungesës së një opozite të fortë.
3. Zgjedhjet rikthejnë borxhin, 12.7 miliardë lekë detyrime të prapambetura
Përveç borxhit publik, shteti shqiptar duhet të shlyejë edhe detyrimet e prapambetura, që kanë pësuar rritje të ndjeshme këtë vit. Janë detyrimet ndaj biznesit dhe qytetarëve që ka krijuar qeveria qendrore dhe bashkitë, një zë që nuk përfshihet në treguesin zyrtar të borxhit, por që në finale është një faturë që duhet paguar nga taksapaguesit shqiptarë.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, në tremujorit të parë të këtij viti, detyrimet e prapambetura arritën në 12.7 miliardë lekë, me rritje 600 milionë kundrejt fundit të vitit të kaluar. Arsyeja kryesore vlerësohen zgjedhjet vendore të 14 majit.
Po kush e ka krijuar këtë borxh?
4. Vëllezërit nga Presheva që po punojnë për një orë luksi shqiptare në Zvicër
Delemont, kryeqyteti helvet i mikromekanikës, është edhe shtëpia e një suksesi të jashtëzakonshëm të dy vëllezërve shqiptarë, Sylejman dhe Mensur Shaqiri. Të emigruar në vitet 1990 në Zvicër nga Lugina e Preshevës, sot marka ikonike si Patek Philippe dhe Rolex trokasin në dyert e fabrikës së tyre për t’i kthyer në furnitorë të besuar.
5. Ku janë gjeneralët rusë?
Gjeneralët më të lartë rusë nuk janë parë në publik, që prej kryengritjes së armatosur që synonte rrëzimin e elitës ushtarake, teksa presidenti Putin po bën përpjekje për të rivendosur autoritetin e tij.
Burime të pakonfirmuara thonë se të paktën një person është arrestuar. Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura, gjenerali Valery Gerasimov nuk është shfaqur në publik ose në televizionin shtetëror që prej rebelimit 24 orësh, ditën e shtunë, kur lideri i mercenarëve Yevgeny Prigozhin kërkoi dorëzimin e Gerasimov.
I zhdukur nga vëmendja publike është edhe Sergei Surovikin, i pagëzuar si “Gjenerali Armagedon” nga shtypi rus, për taktikat agresive në konfliktin sirian.
Dokumente të publikuara nga CNN sugjerojnë se Surovikin, ishte një anëtar vip i grupit të mercenarëve Wagner dhe rrjedhimisht një mbështetës i Prigozhin.
Lajmet e fundit nga lufta në Ukrainë
Parashikimi i motit, nga Tanja Porja, meteorologe e A2 CNN
Video për të mos u humbur
(A2 Televizion)