Një atlet nga Holanda ka nisur një sfidë të vërtetë për të mbledhur fonde për Ukrainën në luftë, që parashikon përshkimin e distancës nga Amsterdami në Kiev me vrap.
Boas Kragtwijk u shpreh për mediat ndërkombëtare para nisjes së misionit të tij humanitar se nisma synon të mbledhë para për ambulanca për Ukrainën, por edhe të tregojë se sa pranë Europës është zona e nxehtë e luftës.
Atleti ka llogaritur ta realizojë distancën prej 2500 km mes dy kryeqyteteve për 50 ditë, duke vrapuar nga 50 km për çdo ditë derisa të arrijë në destinacion.
“Shpresoj me të vërtetë që të tërheq vëmendjen e njerëzve me këtë nismë për të mbledhur fondet e nevojshme për blerjen e disa ambulancave për Ukrainën”, u shpreh Boas Kragtwijk.
Holandezi do të ndiqet nga menaxheri i tij dhe një fotograf në këtë aventurë, të cilët do të udhëtojnë me një rulotë që do të mundësojë dhe fjetjen dhe ushqimin.
Sfida ka nisur më 27 korrik dhe deri në këto momente janë mbledhur plot 22 mijë euro përmes faqes Ultra4Ukraine GoFundMe, ndërkohë që vetëm një ambulancë kushton 30 mijë euro. (A2 Televizion)