Gjykata ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg për kapitenin rus të anijes Grace Felix, Alexey Smaznov. Ndërkohë është vendosur nën sekuestro cisterna me flamur liberian me një sasi prej 22 500 tonë naftë në bord në Portin e Durrësit.
Avokati i kapitenit të anijes u shpreh se masa është e ekzagjeruar, pasi sipas tij malli nuk i përkiste kapitenit. Ai u shpreh se anija nuk mund të qëndrojë në det të hapur pa kapitenin e saj.
“Malli nuk i përkiste as pronarit të anijes dhe as ekuipazhit, por një subjekti tjetër, duke marrë parasysh edhe faktin që anija nuk importoi mall në territorin e Shqipërisë. Vendimi i Këshillit të Ministrave ndalon importin, por jo transportin. Në këtë rast, anija nuk ka importuar mall, ka qenë në radhë ne tentativë nga pronari i mallit për shitjen e mallit. Në bazë të këtij ligjit anija duhej të largohej. Masa është e ekzagjeruar. Anija nuk mund të qëndrojë pa kapitenin e saj pasi është në det të hapur dhe mund të përbëjë rrezik”, tha avokati Artion Beqiraj. (A2 Televizion)