Beteja për Korçën, sfida e fituesit, kthimi i të rinjve

Nga A2 CNN
4 Maj 2023, 20:21 | Politikë

Korça është një nga bashkitë më të mëdha të vendit me rreth 130 mijë banorë dhe afro 106 mijë votues. Ajo  është edhe bashkia qendër e qarkut më të njëjtin emër i cili ka një shtrirje prej 3700 km2katror ne juglindje të vendit. Pavarësisht qetësisë që reflekton qyteti dhe banorët e saj, beteja politike për drejtimin e Korçës ka qenë e ashpër.

Në vitet 92 -2000, qyteti qendër i juglindjes drejtohej nga demokratët për dy mandate radhazi. Thyhet me një mandat nga socialistet në vitet 200-2003, për ta rimarrë sërish e djathta deri në vitin 2007. Por ishin vitet 2004-2005 kur kryeministri i kohës Nano identifikoi në radhët e demokratëve Niko Peleshin duke e emëruar prefekt. Edi Rama në krye të PS, do ta kandidonte në 2007 për kryebashkiak.

Fitorja e tij si socialist ishte e thellë dhe që prej 2007 Bashkia e Korçës vijon të drejtohet nga e majta. Pasuesi i Niko Peleshit që u ngjit në qeverinë, Sotiraq Filo, kërkon mandatin e trete në 14 maj.  Në këto zgjedhje ka përballë  një zonjë, ish-deputeten demokrate, pedagogen Ledina Aliolli. Ajo kandidon nën siglën e koalicionit Berisha-Meta “Bashkë Fitojmë”.

Vitet e fundit Korça ka marrë investime të konsiderueshme nga qeveria. Është e treta bashki në rang vendi, pas Tiranës dhe Vlorës, për projektet e realizuara për zhvillimin zonës. Ky qytet  është kthyer në një pikë të re turistike në juglindjen e vendit, duke lënë pas Pogradecin dhe turizmin e tij karakteristik liqenor. Bashkia e Korçës është ndër të parat dhe të paktat qytete që ka siguruar ujë pa ndërprerje për banorët e saj. Investimet në infrastrukturë, zhvillimi i turizmit dhe hotelerisë e ka kthyer Korçën në “të përkëdhelurën” e juglindjes. Në qytet janë të pakta ankesat e banorëve të Korçës në prag zgjedhjesh.

Bujqësia është shtylla kryesore e zhvillimit ekonomik të kësaj zonë. Në qarkun dhe bashkinë e Korçës rrallë gjen toka djerrë. Me daljen nga dimri i gjatë, bujqit kanë nisur punët e tokës, pavarësisht humbjeve të përvitshme nga  mbetja stok e prodhimeve. Vitet e fundit, Korça ka fituar turistët, por po humb rininë ashtu si çdo qytet tjetër i Shqipërisë.

Filo shpalos projektet për mandatin e tretë në Korçë

Prej 10 vitesh në krye të Bashkisë së Korçës, kandidati socialist Sotiraq Filo u kërkon qytetarëve një mandat të tretë për të përfunduar projektet e nisura dhe për të realizuar premtimet e reja elektorale. Në një intervistë me Alba Alishanin për Debatin në A2 CNN  ai tha se garancia dhe suksesi i tij janë bilanci pozitiv i projekteve të realizuara dhe programi ambicioz për të ardhmen.

Nga gazifikimi te termoizolimi, infrastruktura dhe aeroporti i Lumasit, ai foli konkretisht për projektet që pret të realizojë këtë mandat.

https://youtu.be/ojZp7YbrBWg

Alolli premton parkim me tarifë zero, ulje të taksave dhe faktorizimin e të rinjve

Kandidatja e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Korçës, Ledina Alolli ka prezantuar në “Debat” me Alba Alishanin platformën me të cilën synon që të rrëzojë nga “froni” socialistët që qeverisin prej më shumë se një dekade qytetin.

Ashtu si kandidatët e tjerë të koalicionit opozitar, zonja Alolli theksoi se qyteti i juglindjes ka nevojë dhe dëshirë për të sjellë ndryshimin.

Ajo tregoi se pasi u zyrtarizua si kandidate për bashkinë e Korçës ka vijuar çdo ditë me takimet derë më derë me qytetarët për të dëgjuar se çfarë i shqetëson qytetarët.

https://youtu.be/jYq0LIg_ZR0

Beteja në bashkitë e tjera të qarkut

Qarku i Korçës ka 6 bashki, Korçën, Kolonjën, Devollin, Maliqin, Pustecin dhe Pogradecin. Të njohura si bastione të së majtës, Partia Socialiste kërkon të rimarrë drejtimin në të paktën 5 prej tyre.

Ndërsa Devolli, bastion i demokratëve, drejtohet nga një socialist për shkak të bojkotit të zgjedhjeve të shkuara nga opozita. Por me votën e 14 Majit koalicioni “Bashkë Fitojmë” synon ta rikthejë zonë blu.

Në Kolonjë rikandidon Erion Isai nga Partia Socialiste përballë Ethem Lumanit nga koalicioni “Bashkë fitojmë”.

Në Maliq synon mandatin e shtatë socialisti Gëzim Topçiu përballë Alfred Gegës nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”.

Në Pustec Pali Kolevski përballë Pandi Janit nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”.

Në Pogradec kandidojnë Ilir Xhakolli nga PS, Zini Tollozhina i koalicionit “Bashkë fitojmë” dhe Rezart Laraku nga partia Liri, Demokraci dhe Etikë.

Devolli, bastion i demokratëve, drejtohet nga një socialist për shkak të bojkotit të zgjedhjeve të shkuara nga opozita. Në këto zgjedhje garojnë  Eduart Duro nga PS  përballë Ervis Hajderlli nga koalicioni i djathtë. Por pas 14 Majit  koalicioni “Bashkë Fitojmë” synon ta rikthejë në zonë blu. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos