Covidi shtyn vizitën e Chollet në Kosovë, Escobar flet me Osmanin dhe Kurtin për barrikadat në veri

Nga A2 CNN
12 Dhjetor 2022, 19:22 | Kosova
Covidi shtyn vizitën e Chollet në Kosovë, Escobar flet me Osmanin

Shkeli në Kosovë në një situatë tepër të tensionuar. Bllokadat nga serbët në veri kanë qenë dhe temë kryesore e bisedave mes të dërguarit të posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, me udhëheqësit në Prishtinë. E para që e priti në zyrë ishte presidentja Vjosa Osmani, e cila i kërkoi ndihmë për të larguar kamionë dhe automjetet e tjera në rrugët e veriut të Kosovës.

“Presidentja Osmani ka theksuar nevojën urgjente të heqjes së barrikadave në veri të vendit të vendosura nga strukturat ilegale të organizuara në banda kriminale dhe të dirigjuara nga Vuçiçi”, ishte sqarimi i presidencës së Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti ishte i radhës që i hapi derën e zyrës së tij. Temë kryesore diskutimi ka qenë natyrisht heqja e pengesave në veri të Kosovës, kthimi i qetësisë si dhe e ardhmja e dialogut dhe përmbyllja e tij me njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.

Bashkë me Escobar, do të vinte në Prishtinë edhe këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet, por infektimi me Covid-19 bëri që vizita e tij të shtyhet për në fillim të vitit 2023. Ndërkohë, reagime të shumta ndërkombëtare kanë ardhur lidhur me situatën, me kërkesën kryesore, heqjen e barrikadave. Ministrja e jashtme gjermane reagoi ashpër ndaj deklaratës së presidentit, Aleksandër Vuçiç, se po shqyrton dërgimin e ushtrisë në veriun e Kosovës.

Ana Barbeock “Kosova i reduktoi tensionet duke shtyrë zgjedhjet lokale. Retorika e fundit nga Serbia bëri të kundërtën. Sugjerimi për të dërguar forcat serbe në Kosovë është totalisht i papranueshëm. Të tilla janë edhe sulmet e fundit ndaj Eulex në Kosovë. Mbështetja ime shkon e gjitha për dialogun e ndërmjetësuar nga BE”, deklaroi Ana Barbeock.

Atë që po ndodh në Veri e ka dënuar dhe qeveria franceze dhe kërkon kthimin e paqes. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2022/12/12/sulmi-ne-seline-e-kqz-ne-veri-dyshohet-per-veper-terroriste-nje-muaj-paraburgim-per-ish-policin-serb/

A2 CNN Livestream

Latest Videos