
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bisedoi të mërkurën me Këshilltarin e Lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, për dialogun me Serbinë dhe zgjedhjet lokale që u mbajtën në veri. Në një komunikatë të lëshuar për media, Zyra e Kryeministrit tha se është vënë theksi tek zbatimi i plote dhe i pakushtëzuar i marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Sot Chollet dhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do të raportojnë para Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, lidhur me politikat amerikane kundrejt Ballkanit Perëndimor. Një ditë më parë, Chollet bisedoi edhe me Aleksandar Vuçiç.
Ai është cituar t’i ketë thënë presidenti të Serbisë se është e nevojshme që të shmangen provokimet dhe konfliktet mes Kosovës dhe Serbisë dhe se të dyja vendet duhet të vazhdojnë të punojnë drejt normalizimit të marrëdhënieve. Thirrjet vijnë në prag të betimit të kryetarëve të komunave veriore në Kosovë që u zgjodhën më 23 prill në zgjedhjet e bojkotuara nga serbët. (A2 Televizion)