Marrëveshja me Serbinë, Kurti: Të zbatohet e plotë, jo vetëm asociacioni

Nga A2 CNN
16 Maj 2023, 15:24 | Kosova
Marrëveshja me Serbinë, Kurti: Të zbatohet e plotë, jo

Marrëveshja me Serbinë duhet të zbatohet në tërësi dhe jo vetëm neni 7 i saj. Një ditë pas takimit të kryenegociatorëve të dialogut në Bruksel, kryeministri Albin Kurti përsërit qëndrimin sa i përket formimit të asociacionit, që siç tha është pjesë e ujdisë së Ohrit po jo vetë marrëveshja. Duke e vënë theksin tek shkeljet që Beogradi I ka bërë marrëveshjes, Kurti tha se janë ende në pritje të qëndrimit europian.

“Deri më sot nga ndërmjetësit nuk kemi një qëndrim sa i përket denoncimit tonë për shkeljet e Serbisë. Ne jemi të interesuar për zbatim të plotë të menjëhershëm të marrëveshjes, pa kushte dhe pa vonesa.  Ajo dëshiron që ne të përqendrohemi vetëm dhe vetëm tek neni shtatë. Natyrisht se neni shtatë është pjesë e marrëveshjes, por marrëveshja nuk është vetëm neni shtatë”, tha Kurti.  Në prononcimin për gazetarët , pas themelimit të shoqatës së miqësisë Kosovë-Austri, Kurti kërkoi nga Bashkimi Evropian që të hiqet referimi i Kosovës me asterisk (fusnotë), pas marrëveshjes me Serbinë, e cila siç tha, është bërë pjesë e konkluzioneve të Këshillit Evropian.

“Ne kemi kërkuar që edhe të dërgohet letra e ndërmjetësve që të hiqet asterisku, pasi fusnota nuk ka kuptim kur e kemi marrëveshjen bazike të27 shkurtit, e cila paraprakisht tri javë më herët më 6 shkurt ne jemi takuar në Prishtinë dhe kemi dakorduar atë, ndërkaq me 9 shkurt, Këshilli Evropian, në mënyrë të unifikuar e kanë bërë pjesë të konkluzioneve të tyre”, theksoi kryeministri i Kosovës.

I pyetur për modelin e Tirolit Jugor, i cili është propozuar si një model i mundshëm për Asociacionin në Kosovë, Kurti tha se po diskutohen shumë modele europiane, por kur Serbia refuzon të njohë pavarësinë e Kosovës dhe krimet e të kaluarës, nuk mund të flitet për zgjidhje të tilla.

“Ka modele të shumta evropiane për të cilat po flitet. Ne kërkojmë të ketë një zgjidhje që është përbrenda marrëveshjes kornizës të Këshillit të Evropës për mbrojtjen e pakicave kombëtare”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos