Dosja e sterilizimit, GJKKO orienton SPAK të hetojë dhe ish-ministrat Beqja e Cani

Nga A2 CNN
17 Gusht 2023, 14:39 | Aktualitet
Dosja e sterilizimit, GJKKO orienton SPAK të hetojë dhe ish-ministrat

Për herë të parë Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit i kërkon prokurorisë të shtrijë hetimet edhe tek ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani në lidhje me koncesionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale.

Cani mbërriti të enjte në prokurori ndërsa vendimi për masat e arrestit tashmë të ekzekutuara është marrë që me datë 23 qershor.

Gjykata mësohet se i ka kërkuar SPAK që duhet të paraqitet edhe me 6 masa të tjera mes tyre edhe për ish ministrin Ilir Beqja, i cili firmosi koncesionin në vitin 2015. Por SPAK ende nuk ka kërkuar një diçka të

tillë. Pas vendimit prokuroria lëshoi urdhër-arrestet për ish-zv/ministrin e Shëndetësisë Klodjan Rrjepaj, si dhe biznesmenin Ilir Rrapaj fitues të tenderit, i akuzuar për mashtrim me pasoja të rënda.

Zyrtarë të tjerë të përfshirë janë Marsela Seriani dhe Saimir Kadiu të cilët u lanë në arrest shtëpie për shpërdorim detyre. Kurse për shefin e kirurgjisë, rektor i universitetit të Mjekësisë Arben Gjata, Naile Abazi, Gent Burazeri dhe Pertref Mersini u vendos masa detyrim paraqitje.

Mësohet se gjykata ka urdhëruar shpalljen si të pavlefshme kontratën e koncensionit të sterilizimit sepse sipas saj është ndërmarrë në konflikt të hapur interesi përderisa biznesmeni Ilir Rrapaj ka njohje me ish-zv/ministrin e Shëndetësisë Klodian Rrjepaj dhe ish ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqja.

Një vit më parë ish-ministri i Shëndetësisë dha deklarimet e tij në SPAK për 9 orë me radhë si person që ka dijeni, duke pohuar se qëndrimi i tij ishte për tenderin e sterilizimit.

Ndërkohë javët e fundit në dyert e strukturës së posaçme kundër krimit dhe korrupsionit të zyrtarëve të lartë ishte edhe ish-ministrja tjetër e Financave Anila Denaj.

Dosja e sterilizimit u kallëzua gjatë vitit 2019 nga Nisma Thurje dhe Partia Demokratike. Denoncuesit pretendonin se kontratat e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale firmosur mes ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqja dhe kompanisë koncensionare “Sani Service” po i shkaktonte shtetit dëm ekonomik. Një auditim i KLSH nxori se pajisjet me vlerë gati 107 milionë lekë të blera nga qeveria shqiptare iu dhuruan koncesionarit pa pagesë dhe pa asnjë parashikim në kontratë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos