Moldavia dëshiron t'i bashkohet Bashkimit Evropian "sa më shpejt të jetë e mundur" për të mbrojtur veten nga kërcënimi rus! Presidentja e vendit, Maya Sandu, tha se pret një përgjigje në muajt e ardhshëm për të nisur negociatat.
"Ne besojmë se nuk mund ta shpëtojmë demokracinë tonë nëse nuk jemi anëtarë të BE-së. Rusia do të vazhdojë të jetë një burim kryesor i destabilitetit në vitet e ardhshme dhe ne duhet të mbrohemi”, tha Sandu.
Presidentja bëri thirrje për një demonstratë të madhe pro BE-së të dielën që banorët të tregojnë mbështetjen e tyre për integrimin e Moldavisë në Union.
"Lufta në Ukrainë na bëri t'i shohim gjërat bardh zi: ne e shohim shumë qartë tani se çfarë do të thotë një botë e lirë dhe çfarë do të thotë një botë autoritare", theksoi Sandou.
BE-ja i dha Ukrainës statusin zyrtar të vendit kandidat në qershor 2022, por i ka kërkuar Kievit të vazhdojë reformat dhe mbi të gjitha, të godasë korrupsionin.
Moldavia, e cila kufizohet me Rumaninë, do të ishte më e lehtë për t'u bashkuar, megjithëse mbeten shumë pengesa, që do të thotë se procesi mund të zgjasë të paktën deri në vitet 2030.
Përveç situatës së saj të brishtë ekonomike dhe problemeve kronike të korrupsionit, Moldavia duhet të gjejë një zgjidhje për provincën separatiste të Transnistrisë, një rajon pro-rus me 300.000 banorë në pjesën lindore të vendit.
“Ne kemi ende gjëra për të bërë, por po punojmë shumë dhe ky është tani qëllimi ynë kryesor”, këmbënguli Sandu. (A2 Televizion)