
Ngjashëm me turistët, edhe banorët e Himarës janë kthyer në rezidentë sezonalë në vendin e tyre.
Shpopullimi duket qartë dhenë qytezën bregdetare, ku ofertat për punë janë të shumta, por punëtorët nuk ekzistojnë.
Me një vijë bregdetare që nis nga Palasa deri në Borsh, me gjire të shumta dhe plazhe të fshehura, bregdeti i Himarës është më i lakmuari në Shqipëri.
Këtu, termi “resort” është kryefjala rreth aspiratave, planeve konkrete dhe aferave sekrete rreth zhvillimit lokal.
Dhe në fakt, Himara administrative është zona kryesore ku po zhvillohet turizmi elitar, një industri që duke shënuar rritje të vazhdueshme, po ekspozon vështirësi dhe tensione të reja për banorët.
Kështu, me një perspektivë të qartë drejt zhvillimit të turizmit, nevojave në rritje për infrastrukturë dhe presioneve grabitqare rreth pronave të bregut, Himara po shkon drejt 14 Majit me dy alternativa që vijnë nga minoriteti grek.
Jorgo Goro kërkon mandatin e tretë në krye të kësaj bashkie, ndërsa Dhionisios Fredi Beleri kërkon për të tretën herë të marrë ‘fronin’ që se ka arritur dot deri më tani.
Të dy garuesit synojnë të qeverisin një komunitet prej vetëm 27,000 banorësh, sa raportohet zyrtarisht në të dhënat zyrtare, ku megjithatë, një pjesë e madhe figurojnë në shifra edhe pse nuk jetojnë në Shqipëri.
Me ndarjen e re administrative që përfshin 3 njësi administrative dhe 24 fshatra, Himara shtrihet deri në zemër të Labërisë, në Hor Vranisht, duke mbuluar një sipërfaqe totale prej 570 kilometrash katrorë.
Në 5 vitet e fundit, numri i turistëve në zonë është rritur me 2.5 herë. Nga 350 mijë që ka pasur në vitin 2018, vitin e shkuar, Himara regjistroi 870 mijë turistë.
Por ashtu si sektori turistik, edhe ai bujqësor ka nevojë për të njëjtat burime njerëzore që vijnë duke u pakësuar.
Në këtë zonë ka probleme me furnizimin me ujë të pijshëm dhe infrastrukturën mbështetëse ndaj shërbimeve turistike.
Edhe pse problemet janë thelbësore dhe i prekin të gjithë qytetarët, banorët e Himarës zgjedhin që të heshtin para kamerës. Por një tjetër panoramë është në fshatrat e Labërisë që janë pjesë e Bashkisë Himarë.
Të ndjerë të mënjanuar nga administrata e bashkisë, ata kërkojnë më shumë vëmendje dhe të mos braktiset dhe nga ata pak banorë që kanë mbetur.
Në pamundësi të ndryshimit të qeverisjes së zonës, disa prej banorëve propozojnë zgjidhje origjinale për problemet e tyre.
"Do bëhem grek," thotë një prej tyre. (A2 Televizion)