Kandidati i “Bashkë Fitojmë”: PS e humb Vlorën, më 15 maj nuk do dijë ku të shkojë

Nga A2 CNN
4 Maj 2023, 21:07 | Politikë
Kandidati i “Bashkë Fitojmë”: PS e humb Vlorën,

Kandidati i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, Hysni Sharra, ka prezantuar në “Debat” platformën me të cilën synon që t’ia marrë shumicës socialiste qeverisjen shumëvjeçare të qytetit.

Në intervistën e dhënë për Alba Alishanin, zoti Sharra theksoi fillimisht se rivalët e tij politikë nuk kanë as vizion dhe as program, por shtoi se opozita ka përballë atë që kryeministri Rama e përshkruan si “bashkia Vlorë, bashkia Shqipëri.”

Kandidati i të djathtëve për zgjedhjet vendore të 14 majit theksoi se ai dhe kandidatët e tjerë të opozitës po përballen me një fushatë të pabarabartë. Për të mbështetur atë që deklaroi ai kujtoi se paratë që i takojnë PD-së, KQZ-ja ia ka dorëzuar Enkelejd Alibeajt, pasi atë pjesë të PD-së që drejton ai njohin institucionet dhe së dyti, Sharra akuzoi mazhorancën se po përdor administratën në këto zgjedhje.

Hysni Sharra përsëriti akuzat e bëra edhe nga kandidatë të tjerë të koalicionit opozitar se drejtorëve të PS u është bërë thirrje e po u kërkohet llogari për mënyrën sesi po e angazhojnë administratën në këto zgjedhje.

Ai theksoi se vlonjatët janë të lodhur nga premtimet e bëra nga PS në këto 26 vite.

“Plus 10 vite të pushtetit qendror. Do të bëjmë një operacion sinqeriteti. Nuk ka zgjidhje të problemit të ujit të pijshëm pa u thënë njerëzve që ky është një problem i mbartur prej vitesh, por që keqpërdoret, paratë bëhen rrush e kumbulla. Do të hartojmë një master-plan për furnizimin me ujë të pijshëm,” shpjegoi Sharra.

I pyetur rreth ofertës së tij për qytetin bregdetar, ai theksoi se programi i tij fokusohet në 6 pika që do të shihen me prioritet, si turizmi, mjedisi dhe vënia para drejtësisë e atyre që janë përfshirë në afera korruptive.

Kemi propozuar reduktimin në 50% të tarifës së përkohshme të zënies së hapësirës publike. Është vrasëse për të gjitha bizneset, sepse aplikohet për 6 muaj, teksa pak a shumë, operatorët turistikë operojnë në pak më shumë se dy muaj. Edhe kur Lungo Mare ndërtohej, iu morën para subjekteve. Kemi propozuar ndërtimin e një teleferiku. Turizmit historik i është bërë një dëm i riparueshëm. Sheshi i Flamurit, një katrahurë.”

Por çfarë mendon Hysni Sharra për ofertën e kundërshtarit të tij politik?

Sipas tij, PS jo vetëm që nuk ka ofertë për Vlorën, por kjo i mungon në 61 bashki. Ai u shpreh i bindur që mazhoranca do të humbë jo vetëm qytetin e tij, por edhe shumë bashki të tjera.

Ndërsa, i pyetur për krizën aktuale në PD, Sharra theksoi se e gëzon mbështetjen e të gjithë demokratëve të qytetit dhe se ai vetë “nuk ka pse të zgjidhë problemet e Tiranës.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos