
Kreu i PD-së, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama si porositës të sulmit ndaj tij gjatë protestës së 6 dhjetorit në Tiranë.
Në një konferencë për mediat, kreu i selisë blu tha se ka falur kamikazin siç e cilësoi ai Gerti Shehun, por theksoi se ai është informator i policisë kriminale me emër dhe është përdorur nga Ardi Veliu.
Sipas Berishës, nuk ndodh kurrë që një i sëmurë psikik të marrë kredi në banka apo patentë, sikurse ka ndodhur me Gerti Shehun.
“Unë e kam falur kamikazin pa eksploziv të Edi Ramës, Gerti Shehun. Por debatet e shumta, lidhur me ngjarjen, më detyrojnë të jem sot këtu para jush për këtë çështje. Për të sqaruar opinionin se pse unë akuzoj direkt Edi Ramën si autor ose porositës të këtij skenari. Nuk e akuzoj Edi Ramën për motive dhe shkaqe politike. Jo. Deklaroj me përgjegjësi të plotë se çdo njeri që gabon, që akuzat e mia kanë këtë qëllim, mashtron veten dhe asgjë më shumë. Nuk e akuzoj aspak për faktin se policia nuk mbrojti protestën. Unë e akuzoj Edi Ramën sepse Gerti Shehu është informator i policisë kriminale me emër, mbiemër dhe kod, dhe është përdorur nga Ardi Veliu. Ky informator është përdorur në dokumentet zyrtare për çmontimin e rrjeteve të drogës dhe si vesh për xhematin e xhamisë. Përhapja me shpejtësi e variantit të sëmurë psikik, dëshmon se Gerti Shehu është nën mbrojtjen totale të Edi Ramës, që ka porositur krimin e tij. Unë e akuzoj Edi Ramën sepse për pacientin e Edi Ramës dhe klientin e Ardi Veliut, nuk ekziston asnjë dokument zyrtar që të faktojë se është i sëmurë i papërgjegjshëm. Përkundrazi ekziston vendim gjykate që e shpall ligjërisht plotësisht të përgjegjshëm dhe e dënon për goditjen e një personi tjetër. Çfarë e shtyn Edi Ramën të shpallë Gerti Shehun nga kriminel, në të sëmurë psikik, kjo merret me mend. I sëmuri i Edi Ramës dhe klienti dhe gjitoni i Ardi Veliut është aq i sëmurë, sa ka rinovuar patentën, që nuk u lëshohet kurrë atyre me probleme mendore. I sëmuri i Edi Ramës, klienti dhe gjitoni i Ardi Veliut, është aq i sëmurë, sa ka marrë kredi në banka, akt që nuk ndodh kurrë për një të sëmurë psikik”, deklaroi Berisha.
Berisha shprehet se me këtë akt do të asgjësonte opozitën, ose ta paraqiste para botës si vrasëse nëse ai vritej nga protestuesit.
“Rama ishte i bindur që me këtë skenar apo ngjarjet që pasonin, do i jepnin opozitës një goditje asgjësuese. Ai mendoi se Sali Berisha nuk do ngjitej më në tribunë apo ai do udhëhiqte në zonën ku kërcënohej siguria e samitit, dhe kështu do u tregonte fytyrën e vërtetë, pjesëmarrësve në samit. Ose do të ndodhte që kamikazi i tij të vritej dhe në këtë mënyrë të damkoste opozitën si vrasëse para botës”. (A2 Televizion)