Dyert e shkollave shqiptare shpesh mbyllen për fëmijët me aftësi të kufizuara. Në këtë përfundim del Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) në raportin “Sistemi arsimor para-universitar për fëmijët me aftësi të kufizuara”.
Zela Koka, kryetare e shoqatës MEDPAK, shprehet për A2 CNN: “Nëse unë çoj një nxënës që përdor karrocën, unë duhet të kem tualete të përshtatshme dhe të kem ujin e ngrohtë, duhet të kem një rampë që është gjëja më e thjeshtë”.
Veç infrastrukturës, problem mbeten edhe mësuesit ndihmës. Ndonëse sipas të dhënave nga Ministria e Arsimit, numri i tyre është rritur, ai mbetet i pamjaftueshëm dhe shpesh pa kualifikimin e nevojshëm.
“Problem tjetër te mësuesi ndihmëS qëndron te ajo që thotë Kontrolli i Lartë i Shtetit. Që ASAP nuk ka bërë dhe nuk ka hedhur asnjë buxhet për trajnimin e mësuesve ndihmës. Kjo bën që ata të jenë të patrajnuar, duke mos ditur se si të trajtojnë klasën kur brenda ka një fëmijë me aftësi të kufizuar”, shton Koka.
Në moslejimin e gjithëpërfshirjes së fëmijëve me aftësi të kufizuar në arsim, sipas KLSH, kontribut ka edhe niveli i financimit që, ndonëse me rritje nga viti në vit, vijon të jetë larg të qënit i mjaftueshëm.
“Komisioni që vlerëson aftësinë e nxënësit, nevojat e tyre për t’u arsimuar, duhet të përcaktojë edhe një buxhet dhe bazën didaktike. Kjo në buxhet është e sanksionuar, por shpesh nuk zbatohet”, tregon Koka.
Për shkak të këtyre problematikave si dhe emigracionit, numri i nxënësve me aftësi të kufizuara në arsim po bie nga viti në vit. Nga gati 4700 në vitin arsimor 2018-2019, shifra ra në rreth 4500 vitin e shkuar. (A2 Televizion)