Krimet zgjedhore, u kap me lekë e listë votuesish, gjykata liron nga burgu 48-vjeçarin

Nga A2 CNN
17 Maj 2023, 17:00 | Kronikë
Krimet zgjedhore, u kap me lekë e listë votuesish, gjykata liron nga

Gjykata e Tiranës liroi nga qelia një 48-vjeçar të arrestuar në Krujë një ditë para zgjedhjeve, teksa kishte me vete 69 mijë lekë dhe 50 euro, si edhe një listë me emra votuesish.

Me kërkese të Prokurorisë së Tiranës, për të arrestuarin Bedri Murati gjykata caktoi masën e sigurisë “detyrim për paraqitje”.

48-vjeçari do të hetohet për “korrupsion, aktiv në zgjedhje”, hetim që pritet të zhvendoset në SPAK, si prokurori kompetente për këtë vepër penale. Gjatë caktimit të masës së sigurisë, i dyshuari Murati ka pretenduar se paratë që iu sekuestruan nga policia i kishte për shpenzime familjare dhe se nuk kishte asnjë lidhje me shit-blerjen e votave.

Murati u arrestua të shtunën në lagjen “Abaze” në Krujë teksa po drejtonte një mjet “Vokswagen Touareg”. Gjatë kontrollit në mjet iu gjet shuma e parave dhe eurove, si edhe një listë e zgjedhësve në njësinë administrative Cudhi, Krujë. Në këtë listë, sipas prokurorisë, ishin të rrethuar emrat e 8 votuesve, si edhe ishte bërë një shënim me 3 qendra votimi në Cudhi. Para gjykatës, përfaqësuesi i prokurorisë i mbështeti në këto prova dyshimet se ai iu kishte dhënë para në këmbim të votës në favor të një prej kandidatëve.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi