Kur e ardhmja sheh nga e kaluara, jeta në qytetet e drunjta

Nga A2 CNN
29 Shtator 2022, 15:02 | Lifestyle

Një tendencë e re po merr zhvillim, gjithnjë e më shumë, në industrinë e ndërtimit në Finlandë. Shumë kompani po zgjedhin të zëvendësojnë betonin dhe çelikun me drurin. Kjo përpjekje lidhet me ambicien për të ulur emetimet e karbonit, sa më shumë të jetë e mundur.

Tre të katërtat e tokës në Finlandë janë të mbuluara nga pyjet, çka do të thotë se druri është një material që gjendet lehtë dhe me shumicë në këtë vend, megjithatë duhet gjetur një teknikë, në mënyrë që të përdoret edhe në ndërtesa të larta. Çuditërisht, edhe pse në Finlandë ndërtimet prej druri janë të shumta, rreziku i zjarreve është shumë më i ulët se në çdo vend tjetër të botës.  

Këto ndërtime realizohen me pllaka druri të quajtura CLT (dru i laminuar), i cili prodhohet duke bashkuar shtresat e paneleve prej druri në kënde të drejta. Këto panele janë shumë më të lehta se materialet e tjera të ndërtimit, ndaj nevojiten më pak makineri gjatë punimit. Gjithashtu, ndërtesat mund të përfundojnë më shpejt pasi nuk ka fazë tharjeje, siç ndodh me betonin.

Këto teknika kanë edhe një sërë përfitimesh mjedisore, pasi ndërtesat prej druri largojnë më shumë dioksid karboni nga atmosfera sesa lëshojnë. Ato mund të mbajnë karbonin që thithet nga atmosfera nga pemët, për pesë deri në gjashtë dekada. Në të kundërt, çeliku dhe betoni lënë gjurmë masive karboni.

"Kjo mund të na ndihmojë vërtet me ndryshimet klimatike. Nëse krahasojmë ndërtesat e drurit me ato ku është përdorur betoni, çeliku apo edhe tullat, vërehet emetim më i ulët i gazit serrë, deri në 20-30%. Pra, ky është një lajm shumë i mirë." 

Ali Amiri, studiues në Universitetin Aalto, Helsinki

Sipas hulumtimeve, nëse 80% e ndërtesave të reja të banimit në Evropë do të ishin prej druri, ato mund të ruanin deri në 55 milionë tonë dioksid karboni në vit. Helsinki po bëhet shembulli i një qyteti të drunjtë, duke ndërtuar lagje të tëra, shkolla dhe banesa me dru. Kompanitë që po zgjedhin të ndërtojnë në këtë mënyrë, sigurisht që kujdesen për të zëvendësuar çdo pemë të prerë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos