Intervistë ekskluzive për A2 e Nënsekretarit të Shtetit të SHBA-së për Rritjen Ekonomike, Energjinë dhe Mjedisin, Keith Krach.
A2/CNN: Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria nënshkruan dy Memorandume Mirëkuptimi shumë të rëndësishme, në fushën e Bashkëpunimit Ekonomik dhe ndërtimin e Hidrocentralit të Skavicës. Nënsekretari i Shtetit për Rritjen Ekonomike, Energjinë dhe Mjedisin, Keith Krach, ishte në Shqipëri për ta nënshkruar këtë marrëveshje pas një turi takimesh me udhëheqës të ndryshëm në Europë. Nënsekretari Krach, është një nder t’ju kemi këtu.
N/S Krach: Anxhelo, shumë faleminderit për mundësinë.
A2/CNN: Së pari, dëshiroj të filloj me turin tuaj dyjavor nëpër Europë. Keni takuar udhëheqës të ndryshëm, besoj në tetë vende. Cila ishte tema kryesore e këtyre takimeve dhe cilat janë rezultatet?
N/S Krach: Po, tetë vende të ndryshme dhe shumë kohë edhe me zyrtarë të Bashkimit Europian dhe NATO-s. Vërtet, qëllimi kryesor ishte që të çojmë marrëdhëniet në një nivel tjetër dhe në veçanti të flisnim për kërcënimin real dhe urgjent që partia komuniste kineze paraqet ndaj demokracive kudo në botë. Kjo bëri të flisnim edhe për 5G dhe Rrjetin e Pastër, i cili është përqasja e gjithanshme e SHBA dhe vendeve të tjera për të trajtuar kanosjen afatgjatë ndaj privatësisë së të dhënave, sigurisë, bashkëpunimit të besueshëm, si dhe të drejtave të njeriut, kanosje që paraqitet nga partia komuniste dhe ky rrjet i ka rrënjët te standardet digjitale të besimit të pranuara ndërkombëtarisht që mbështeten te një koalicion partnerësh.
A2/CNN: Të kthehemi te Shqipëria, te dy marrëveshjet e nënshkruara. A besoni se do ndihmojnë për të rritur tregtinë dhe ndoshta edhe investime të mëtejshme në të ardhmen nga Shtetet e Bashkuara në Shqipëri?
N/S Krach: Po, nuk kam asnjë dyshim. Mendoj se janë dy marrëveshje madhore dhe do të shërbejnë si katalizator i rëndësishëm. Në takimin me Kryeministrin fola për faktin që është vërtet një kapitull i ri, një kapitull emocionues, që të kemi mundësi ta bëjmë këtë dhe të kemi mundësi të japim një shembull të madh, por edhe të nxisim shumë investime të sektorit privat nga Shtetet e Bashkuara si dhe nga vende të tjera në Shqipëri.
A2/CNN: Në këtë temë, ka diçka ndoshta sensitive. Departamenti i Shtetit, nëpërmjet shqetësimesh që shprehen nga investitorët amerikanë në Shqipëri, shpreh shqetësime sidomos në lidhje me tregtinë dhe të bërit biznes në Shqipëri. E përmendin si vend të vështirë për të bërë biznes. A beson SHBA se qeveria shqiptare po ndërmerr hapat e duhur për t’iu kundërvënë kësaj, sidomos në luftën kundër korrupsionit?
N/S Krach: Meqë ra fjala, shohim që ka vullnet, po fillojmë të shohim disa veprime. Gjëja kyçe është ajo që do ta quanim gjykata të pastra si dhe sundimi i ligjit. Pra nëse shikon se çfarë po bëjmë ne, është rrjeti global i besimit. Ky përbëhet nga vende, kompani, shoqëri civile që mendojnë në mënyrë të ngjashme, në të gjitha fushat e bashkëpunimit ekonomik, një rrjet që funksionon sipas një pakete parimesh besimi si llogaridhënia, integriteti, reciprociteti, transparenca, respekt për sundimin e ligjit, respekt për pronën e çdo lloji, respekt për sovranitetin e vendeve, respekt për planetin, respekt për të drejtat e njeriut, respekt për lirinë e besimit. Dhe kjo është pjesë me rëndësi e saj.
A2/CNN: Kthehemi në një çështje që ju e keni shumë për zemër, rrjeti i sigurisë 5G. Presim në të ardhmen një marrëveshje mes Shqipërisë dhe qeverisë amerikane në këtë fushë, Nisma e Rrjetit të Pastër, një nismë e fundit e qeverisë Trump për të trajtuar kërcënimet afatgjata ndaj vendeve. Si do të përfitojë Shqipëria nga nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje?
N/S Krach: Së pari, mendoj se Shqipëria njihet jo vetëm nga Shtetet e Bashkuara, por edhe nga NATO, si udhëheqëse, një nga të parat që iu bashkua Rrjetit të Pastër dhe tani, Rrugës së Pastër. Gjatë kohës në NATO, kalova mjaft kohë me zv. Sekretarin e NATO-s, dua të siguroj që NATO nuk është e fragmentuar për sa i përket rrjeteve të besueshme në disa vende dhe të pabesueshme në disa të tjera. Lajm i mirë është që tani mbi 20 vende anëtare të NATO-s janë vende te pastra, të besuara, dhe në një numër vendesh që vizituam, si Portugalia, Spanja, Gjermania, Luksemburgu, të gjitha janë në atë rrugë për të qenë në Rrjetin e Pastër. Ajo që do të thotë për Shqipërinë është se njiheni vërtet si udhëheqëse në këtë drejtim dhe keni përcaktuar ritmin aty. Po të shohësh çfarë po arrihet është që Huawei është një mjet për partinë komuniste kineze. Është survejim, një zgjatje e shtetit të survejimit. Përdoret në kampet e internimit në Xinjiang, me miliona ujgurë dhe grupe të tjera myslimane, duke kryer disa nga shkeljet më të rënda të të drejtave të njeriut. Mendoj që populli shqiptar e kupton atë që quajmë doktrina e Kinës për fshehje, kooptim dhe shtrëngim. E kuptojnë që pandemia është rezultat i fshehjes së virusit; shohin kooptimin e Hong Kongut dhe se si u zhdukën tërësisht liritë e qyetarëve të tij; dhe shohin shtrëngimin që ndodh në diplomacinë e maskave të fytyrës. E shohin shtrëngimin që ndodh në Xinjiang.
A2/CNN: Të qëndrojmë te tema e Kinës. Në një letër të fundit, Presidenti i SHBA, Donald Trump, i shkroi Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. E falënderon për ekspozimin e mënyrave dashakeqe se si vepron Kina në vend dhe e nxit të largohet nga formati 17+1. A ka shprehur qeveria shqiptare ndoshta një sinjal për ta bërë këtë dhe si mund të bindë vende të tjera të rajonit që të bëjnë të njëjtën gjë?
N/S Krach: Meqë ra fjala, mendoj së pari, me anë të shembullit. E njoh Presidentin Trump, me këtë letër ai njeh udhëheqësinë e Shqipërisë dhe pranon që kur sheh nismën e mësipërme të Kinës (fshehje, kooptim, shtrëngim) dhe konferencën që kemi në më pak se një muaj, objektivi është që të gjitha ato vende të jenë në Rrjetin e Pastër. Pra, Shqipëria shihet si udhëheqëse dhe Shqipëria nuk ka frikë t’i tregojë vendin bulizmit të Kinës. Është shumë e qartë për mua pasi u takova me Kryeministrin se qytetarët shqiptarë e kuptojnë që një tjetër doktrinë e partisë komuniste kineze është joshja përmes parave dhe realizimi me intimidim dhe ndëshkim. Ata bëjnë bulizëm. Dhe të gjithë kemi pasur përvoja, pavarësisht ku jemi rritur, me bulizmin. Ajo që di është që kur përballesh me bulizmin, ata tërhiqen. Dhe ata vërtet tërhiqen nëse ke miqtë e tu në krah.
A2/CNN: Qëndrojmë te rajoni. Në shtator, Kosova dhe Serbia nënshkruan duhet të them një marrëveshje historike, një marrëveshje ndërmjetësuar nga SHBA për normalizim ekonomik mes dy vendeve. Ka diskutime edhe për zonën minishengen në rajonin e Ballkanit. A besoni se këto dy nisma do të sjellin begati dhe ndoshta paqen e shumëkërkuar në rajon?
N/S Krach: Një nga gjërat që besoj, kur vjen fjala te drejtimi i diplomacisë ekonomike të Shteteve të Bashkuara dhe unë kam përgjegjësi të zhvilloj dhe operacionalizoj një strategji të sigurisë ekonomike globale që nxit rritjen ekonomike kudo në botë, që lufton agresionin ekonomik të Kinës, maksimalizon sigurinë kombëtare për të gjitha vendet, por mbi të gjitha, çon përpara begatinë që çon në paqe. Mendoj se kjo është formula magjike dhe mendoj se një nga gjërat që kam kuptuar gjatë kohës që punoj në qeveri është që nuk ka begati të qëndrueshme pa liri. Ndaj mendoj që ky është një fillim shumë i mirë që t’i sjellim bashkë këto vende në një rajon kaq kyç në botë.
A2/CNN: Z. Nënsekretar Krach, shumë faleminderit që jeni këtu.
U/S Krach: Shumë faleminderit Anxhelo, edhe një herë, është një nder. (A2 Televizion)