Meta: Do të kontestojmë ligjërisht zgjedhjet, informojmë dhe ndërkombëtarët

Nga A2 CNN
17 Maj 2023, 13:01 | Politikë
Meta: Do të kontestojmë ligjërisht zgjedhjet, informojmë dhe

Pas takimit me Sali Berishën në selinë blu, kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka treguar hapat që do të ndjekë opozita, pasi ka refuzuar që të pranojë humbjen më 14 maj. Ilir Meta tha se opozita do të kontestojë rezultatin dhe po bën gati dokumentacionin që konfirmon, sipas tij, tjetërsimin e votës dhe më pas do vënë në dijeni edhe ndërkombëtarët.

“Hapi i radhës është kontestimi ligjor, përgatitja e këtij dokumentacioni për ndërkombëtarët dhe e treta për të nisur transparencën në Këshillat Bashkiakë”, tha Meta.

Ai bëri fajtor për humbjen Edi Ramën.

“Nën komendon e Ramës u shkatërruan standardet e procesit zgjedhor, që para se të niste. Ky shkatërrim i procesit, i votës së lirë, po dokumentohet. Bota e nëndheshme, nën mbrojtjen e Policisë së Shtetit realizoi, një gjë është e qartë, gomarët që u imponoi Rama, nuk do vjedhin më të qetë, përshkallëzimi i aksionit opozitar në Këshilla, rikthimi i transparencës do të nisë menjëherë”, u shpreh kryetari i Partisë së Lirisë.

Meta refuzoi që të pranonte se ky kontestim i zgjedhjeve është i ngjashëm me atë që bëri Lulzim Basha, kur humbi në garën elektorale. Meta tha se në ndryshim nga Basha, opozita e vërtetë ka luftuar për votën e qytetarëve dhe nuk ia dhuroi pushtetin në tavolinë.

“Nuk ekziston asnjë krahasim mes Bashës që ia fali pushtetin Edi Ramës me atë luftë dhe përpjekje që u bë për të rikthyer pluralizmin politik, i cili edhe i cunguar u kthye në të gjithë këshillat Bashkiak. Nuk ka dorëzim dhe kapitullim para mafias shtetërore dhe narkoshtetit dhe gjithë bashkëpunëtorëve të pushtetit. Ne do të luftojmë në emër të atyre që na votuan, por edhe atyre që u presionuan”, përfundoi ish-presidenti.

Takimi në selinë blu me aleatin e tij Sali Berisha zgjati rreth 2 orë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos