Meta takohet me ambasadorët e vendeve të BE në Tiranë

Nga A2 CNN
24 Shtator 2020, 12:19 | Aktualitet
Meta takohet me ambasadorët e vendeve të BE në Tiranë

Mesditën e sotme, Presidenti Ilir Meta zhvilloi një takim me ambasadorët e vendeve të BE-së në Tiranë.

Marrëveshja e 5 qershorit ka qenë në fokusin e vëmendjes edhe në takimin e sotëm me Presidentin e Republikës, i cili ka zgjatur rreth 60 minutave.

Në ditët e fundit, Presidenti Meta ka bërë thirrje për hapjen e listave zgjedhore. Burimet kanë bërë të ditur se nevoja për të shkuar drejt zbatimit të 5 qershorit ka qenë edhe qendra e bisedës që Meta ka pasur me trupin diplomatik në vendin tonë.

Ndërkohë, Presidenti Meta bëri të ditur se temë diskutimi ka qenë edhe plotësimi i 6 kushte të BE.

“Kënaqësi të takohesha sot me Ambasadorët e vendeve anëtare dhe Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, përpara publikimit të afërt të Raportit të Progresit për Shqipërinë.

U përcolla disa nga shqetësimet, por dhe angazhimin dhe përkushtimin tim të vendosur, për plotësimin e 6 kushteve të BE, realizimi i të cilave do të jetë përcaktues në nisjen e negociatave të anëtarësimit gjatë Presidencës gjermane.

Theksova se garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është kyç për të ardhmen europiane të Shqipërisë. Paprekshmëria e frymës dhe germës së Marrëveshjes së 5 Qershorit është e vetmja mënyrë për të ecur në këtë drejtim’, shkroi Meta më pas për takimin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos