Vala e motit të keq që shkaktoi 9 të vdekur në rajonin e Emilia Romanja në Italinë veriore, nuk ndalet. Alarmi i kuq do të vazhdojë të jetë në fuqi edhe gjatë së enjtes, ndërsa niveli i lumenjve vijon të jetë mbi pragun e emergjencës. Vërshime të reja pati gjatë natës në zonën e Ravenës. Mijëra vetë u evakuuan nga banesat e tyre, pas përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut, që erdhën si pasojë e reshjeve të dendura.
Të shumtë ishin ata që u shpëtuan me helikopterë, mes të cilëve edhe një grua shtatzënë. Ministri i Mbrojtjes Civile, Nello Musumeci, tha se disa zona kishin përjetuar gjysmën e mesatares vjetore të reshjeve në 36 orë, çka solli daljen e 14 lumenjve nga shtrati. Gara e Formula 1, Gran Prix në Imola, e cila do të zhvillohej pranë zonave më të goditura, u anulua, për të lehtësuar trysninë në ndaj shërbimeve të emergjencës.
“Përballemi me evente katastrofike që ndoshta nuk i kemi parë më herët. Sasi të mëdha shiu kanë rënë në tokën që nuk është me në gjendje t’i absorbojë, tha Stefano Bonaccini, president i Emilia Romanjës.
Mes qyteteve të prekura rëndë nga përmbytjet është qyteti bregdetar i Ravenës. Autoritetet lokale thanë se rreth 14 mijë u evakuuan nga zona sa më shpejt të jetë e mundur. Vërshimet përfshinë 37 qytete e komunitetet, dhe rreth 120 rrëshqitje dheu janë regjistruar. Të paktën një urë, pranë qytetit të Bolonjas u shemb, disa rrugë u bënë të pakalueshme nga uji dhe shumë shërbime hekurudhore u pezulluan. Ministri i Mbrojtjes Civile tha se do t’i kërkonte kabinetit lëvrimin e 20 milionë eurove për t’u ardhur në ndihmë zonave të prekura. Mijëra vetë vlerësohet të kenë mbetur të pastrehë. (A2 Televizion)

















































































