Nesër takimi në Bruksel, Kurti: S’do lejoj krijimin e Republika Srpska në veri të Kosovës

Nga A2 CNN
1 Maj 2023, 12:03 | Kosova
Nesër takimi në Bruksel, Kurti: S’do lejoj krijimin e Republika

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka këmbëngulur se nuk do të lejojë krijimin e ndonjë forme të Republikës Srpskas në veri të Kosovës. Këtë deklaratë, Kurti e bëri në një intervistë për agjencinë kroate të lajmeve “Hina” gjatë pjesëmarrjes në Forumin Ekonomik të Delfit në Greqi. Një ditë para takimit në Bruksel, Kurti tha se është në dijeni se do pritet të prezantohet draft-statuti i Asociacionit, por thekson se ende nuk ka asnjë informacion se për çfarë bëhet fjalë konkretisht.

Ai thotë se do ishte më e ndershme nëse ky propozim do i prezantohej fillimisht në Prishtinë, e më pas në takimin që pritet të mbahet në Bruksel.

"Duke pasur parasysh insistimin e Brukselit, do të jem i lumtur të shoh se çfarë drafti kanë përgatitur, edhe pse mendoj se do të ishte më mirë nëse do të ma paraqitnin fillimisht në Prishtinë. Megjithatë, do të siguroj që ajo që është rënë dakord tashmë më 27 shkurt në Bruksel është përmbushur ekzistimi i një niveli të duhur të vetëmenaxhimit të komunitetit serb sipas standardeve më të larta ndërkombëtare evropiane për mbrojtjen e minoriteteve”, ka thënë ai.

Kurti shtoi se nëse do e pranonte një gjë të tillë, atëherë do të duhet që të shkelte Kushtetutën e Kosovës.

“Megjithatë, vendi ynë është një vend normal demokratik që u jep të drejta individuale dhe të tjera qytetarëve të tij, por nuk lejon territorizim në bazë etnike, sepse është kundër demokracisë dhe republikës. Sovraniteti dhe integriteti territorial është diçka që nuk guxon të cenohet. Unë dua marrëdhënie normale me Serbinë, marrëdhënie evropiane, marrëdhënie të mira fqinjësore. Mbrojtja e minoriteteve është e rëndësishme për ne. Por ne nuk mund t'i japim pushtetin ekzekutiv komunitetit lokal sepse pushtetet ekzekutive i përkasin Qeverisë dhe komunave”, është shprehur Kurti.

Në takimin mes Kurtit dhe Vuçiçit është konfirmuar dhe se draft-statuti i Asociacionit dhe deklarata për të pagjeturit janë dy temat kryesore të takimit. Për Kurtin, pika e dytë duhet të jetë kryesorja. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos