Takimi Kurti-Vuçiç, BE: Në fokus, deklarata për të pagjeturit dhe statuti i asociacionit

Nga A2 CNN
28 Prill 2023, 15:44 | Kosova
Takimi Kurti-Vuçiç, BE: Në fokus, deklarata për të

Miratimi i deklaratës për të pagjeturit dhe prezantimi i draftit të parë të statutit për asociacionin e komunave me shumicë serbe do të jenë në qendër të takimit të ri mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit Aleksandër Vuçiç, më 2 maj në Bruksel. Agjenda është konfirmuar nga zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.

Takimi do të përqendrohet në zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve. Si pikë e parë e agjendës do të jetë miratimi i Deklaratës për të pagjeturit. Pika e dytë do të jetë paraqitja e draftit të parë të statutit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Pas këtyre dy temave do të shihet sesa mund të diskutohet edhe për çështje të tjera. Si Kurti, ashtu edhe Vuçiç, kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në takimin e 2 majit që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Stano refuzoi të komentojë kritikat e bëra në drejtim të BE-së nga krerët shtetërorë serbë përzgjedhjet lokale që u mbajtën më 23 prill në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe. Ai po ashtu nuk komentoi as ankesat e paraqitura nga Beogradi lidhur me nisjen e procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, çka përbën shkelje të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve.

Ne kemi diskutuar për këtë çështje gjerësisht para dy ditësh. Mund të përsëris se ne nuk i komentojmë deklaratat e palëve, por presim që ata të përqendrohen në zbatimin e obligimeve që kanë para tyre.

Presim që të martën të kemi vazhdimin e dialogut, që është platforma e vetme për diskutim. I pyetur se si do të shkojë përpara procesi nëse nuk do të ketë përparim për themelimin e Asociacionit gjatë takimit të 2 majit, Stano përsëriti se BE-ja pret që palët të zbatojnë angazhimet e marra përsipër.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos