
Policia e Shkodrës përfundoi me sukses një operacion antidrogë gjatë së cilit u sekuestrua një sasi e konsiderueshme droge, farash kanabisi dhe armë.
Në kuadër të operacionit “Perash” u vunë në pranga 4 persona si dhe u shpall në kërkim një tjetër të cilëve iu gjetën 20 kg kanabis sativa, 2000 fara të bimës narkotike dhe një pistoletë. Si rezultat u arrestuan në flagrancë shtetasit A. M., 29 vjeç , G. S., 45 vjeç, D. H., 21 vjeç dhe D. F., 55 vjeç.
Shërbimet e Policisë kishin marrë informacioneve në rrugë operative se shtetasit A. M., G. S., D. H., në fshatin Grudë Fushë kishin bërë gati lëndën narkotike për ta shitur.
Operacioni ka vijuar me goditjen e një tjetër tentative për shitje të farave të kanabisit, si rezultat i të cilit është kapur dhe vënë në pranga shtetasi D. F., 55 vjeç, banues në lagjen Perash, Shkodër, të cilit shërbimet e Policisë gjatë kontrollit i gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2000 fara të dyshuara kanabis dhe 2 aparate celular. (A2 Televizion)