Një ngjarje e rëndë kriminale është parandaluar të dielën mbrëma në Elbasan. Sipas asaj që njofton policia, pas informimit se në orët e vona të natës së mbrëmshme mund të ndodhte një ngjarje e rëndë kriminale, u shtua prezenca në terren.
Pas kontrolleve të kryera, në lagjen “Emin Matraxhiu”, në zonën e quajtur “Ish-konservimi”, është gjetur një automjet tip “BMW X6”. Brenda këtij automjeti njoftohet se u gjetën 3 armë zjarri kallashnikov dhe 2 bidonë me benzinë.
Po në vijim të kontrolleve, në afërsi të një koshi mbeturinash, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe kanë sekuestruar një çantë, brenda së cilës kishte një armë zjarri pistoletë.
Në vendngjarje ndodhet një grup i posaçëm hetimor dhe ekspertë të Institutit të Policisë Shkencore dhe po vijohet puna për të bërë të mundur fiksimin e provave në vendngjarje, hapjen dhe kontrollin e automjetit.
Për rastin në fjalë janë shoqëruar disa persona. (A2 Televizion)