Kina ka akuzuar NATO-n për shpifje ndaj zhvillimit të saj paqësor, në reagimin e parë ndaj agjendës 2030.
Liderët e Aleancës e përcaktuan këtë shtet një kërcënim duke e arsyetuar vendimin me zgjerimin e arsenalit bërthamor të Kinës dhe rritjen e influencës jashtë territorit të saj.
Në kundërpërgjigje, Pekini thotë se politikat kanë “natyrë mbrojtëse” dhe i kërkoi Aleancës së Atlantikut të Veriut që “t’i drejtojë energjitë në promovimin e dialogut”.
“Rruga jonë drejt modernizimit të ushtrisë dhe mbrojtjes është e justifikuar, e arsyeshme, e hapur dhe transparente”, thekson misioni i Kinës në Bashkimin Europian në një deklaratë zyrtare.
Gjithashtu, ai shton se NATO duhet ta shohë zhvillimin e Kinës në një “mënyrë më racionale” dhe i kërkon të ndalojë së përdoruri interesin legjitim si një justifikim për të manipuluar politikën e bllokut, të krijojë konfrontim dhe të nxisë konkurrencën gjeopolitike. (A2 Televizion)