Problemi me teknologjinë dhe kritikat e PS-së, Celibashi: Impakti në procesin zgjedhor, zero!

Nga A2 CNN
14 Maj 2023, 17:51 | Politikë
Problemi me teknologjinë dhe kritikat e PS-së, Celibashi: Impakti

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, në një deklaratë për mediat ka adresuar problematikat e evidentuara deri më tani në procesin zgjedhor si dhe të dhënat rreth daljes së qytetarëve në zgjedhje deri në këtë moment.  

I pyetur nga gazetarët rreth ecurisë së procesit deri më tani, kryekomisioneri Celibashi theksoi se duke mbajtur parasysh numrin e denoncimeve, procesi ka shkuar normalisht deri më tani, megjithatë, ai shtoi se ka pasur edhe problematika.

Sa i përket kërkesës së PS-së që KQZ të kërkojë falje për vonesat që u shkaktuan nga mosfunksionimi i teknologjisë së identifikimit, Celibashi theksoi se impakti në procesin zgjedhor është zero. Ai shtoi se në ditët në vijim do të kuptohet se përse ndodhi kjo problematikë.

“...Nëse mosfunksionimi i pajisjes ka cënuar një interes themelor apo të ndonjë votuesi, patjetër që ne mund të themi që mbajmë gjithë përgjegjësinë. Nëse kjo ka ndikuar te ata, edhe ndjesën e kemi kërkuar. Nuk e di çfarë kërkohet më shumë se kaq, dhe çfarë do duhej të ishte bërë ndryshe nga ç’kemi bërë për ta adresuar,” shtoi kryekomisioneri.

Po ashtu, Celibashi bëri të ditur se, deri më tani, nuk ka arsye që KQZ të shtyjë orarin e votimit. Sa i përket problematikave, kryekomisioneri bëri të ditur se janë identifikuar 927 tentativa për votim të dyfishtë. Po ashtu, KQZ sqaron se në identifikimin elektronik, probleme kanë pasur kryesisht vetëm moshat e treta.

Ndërkohë, Partia Socialiste përmes Bora Muzhaqit përsëriti edhe një herë apelin që qytetarët që nuk kanë votuar ende t’u drejtohen qendrave të votimit.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Dita jonë 2024