Raportin vjetor të Komisionit Europian e pranoi dhe nuk pati kundërshti, të paktën derisa nuk u përmend Kosova apo sanksionet ndaj Rusisë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se Beogradi mendon ndryshe nga Brukseli për zgjidhjen e çështjes për Kosovën, pavarësisht se pranoi dialogun si të vetmin opsion që mund të çojë drejt një kompromisi.
“Kemi dallime të caktuara për këndvështrimin në lidhje me Kosovën, por nuk është specifikuar dhe theksuar veçanërisht. Gjithashtu besojmë se dialogu është zgjidhja e vetme për të arritur një kompromis në çfarëdo mënyre dhe mendojmë se kjo është shumë e rëndësishme për të ardhmen e këtij vendi. Sigurisht që ne e shohim ndryshe situatën rreth Kosovës dhe përgjegjësinë rreth Banjskës, por i kemi kuptuar vërejtjet e Bashkimit Europian”, tha presidenti serb.
Ambasadori i BE-së në Serbi, Emmanuele Giofre, tha në konferencën me Vuçiç, se gjendja e shtetit ligjor dhe normalizimi i marrëdhënieve me Kosovës do të përcaktojnë ritmin e integrimit europian të vendit.
Presidenti iu përgjigj duke premtuar se deri në vitin 2027 do të përmbushë kërkesat për integrim. Një ndër to ishte dhe vendosja e sanksioneve ndaj Rusisë dhe aplikimi i regjimit të vizave për disa shtete që BE-ja i konsideron problematike.
Por Vuçiç nuk sinjalizoi se do të lëvizte shpejt në adresimin e këtyre shqetësimeve të ngritura në raport. (A2 Televizion)