Fitorja e Donald Trump në zgjedhjet presidenciale amerikane përballë Kamala Harris dhe rikthimi në Shtëpinë e Bardhë pas 4 vitesh, ka pasur efekt pozitiv në xhepat e 10 njerëzve më të pasur në botë.
Sipas indeksit të milionerëve të Bloomberg, pasuria e dhjetë njerëzve më të pasur në botë u rrit me një rekord ditor pasi u konfirmua fitimi i mandatit të dytë si President nga Trump.
Pasuria neto e miliarderëve të udhëhequr nga mbështetësi më i madh i Trump gjatë fushatës, Elon Musk i Tesla Inc, u rrit me 63.5 miliardë dollarë të mërkurën.
Muck ishte ai që përfitoi pjesën e luanit, pasi pasuria e tij u rrit me 26.5 miliardë dollarë, ndërsa Jeff Bezos i “Amazon”, që e ndjek si njeriu i dytë më i pasur në botë dhe Larry Ellison i “Oracle Corp”, si i treti, ishin gjithashtu ndër përfituesit kryesorë.
Aksionet e Tesla-s në Nju Jork u rritën 15% të mërkurën. Përveç Musk, fituesit e tjerë kryesorë janë miliarderët e kriptomonedhave. Brian Armstrong, bashkëthemelues dhe CEO i shkëmbimit të kriptove “Coinbase Global Inc”, pa që vlera e pasurisë së tij neto të rritet me 30% , ose 11 miliardë dollarë.
Sakaq, Changpeng Zhao, themeluesi i “Binance”, platforma më e madhe e shkëmbimit të kriptove në botë, shtoi 12.1 miliardë dollarë në llogaripas zgjedhjeve, duke rritur vlerën e tij të pasurisë neto në 52.7 miliardë dollarë.
Dhe kjo e gjitha së bashku vlerësohet të jetë rritja më e madhe ditore që nga fillimi i indeksit të pasurisë së Bloomberg në 2012. (A2 Televizion)