Nuk kanë të ndalur sulmet ruse mbi Ukrainë. Një dron rus ra mbi një ndërtesë banimi në Odesa, me fotot që tregonin shtëpitë e shkatërruara dhe një goditje e madhe në njërën anë të ndërtesës nëntë katëshe.
Një bebe katër muajshe dhe një fëmijë dy vjeç, konfirmohen mes viktimave, ndërsa skuadrat e shpëtimit gërmuan nën rrënoja për të gjetur të pajetë edhe një tjetër foshnje, pranë trupit të pajetë të nënës së tij.
Po ashtu, sulmet me raketa ruse plagosën gjashtë persona në qytetet lindore të Ukrainës, tha policia e rajonit të Donetsk.
Një ditë zie është shpallur në qytet të dielën. Sulme të tjera janë regjistruar në rajonin e Harkivit dhe në Herson e Zaporizhia, duke vrarë edhe tre persona të tjerë – thanë zyrtarët ukrainas.
Presidenti Zelenski tha se viktimat mund të ishin evituar nëse Ukraina nuk do të përballej me vonesa në dërgimin e armëve dhe i kërkoi perëndimit të furnizojë vendin me më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore për të shpëtuar jetët civile.
Sulmet më të fundit vijnë ndërsa Rusia po përpiqet të sigurojë avantazh në fushëbetejë. Forcat ruse kanë avancuar ndërkohë pasi morën muajin e shkuar qytetin lindor të Avdiivkës, duke u shtyrë edhe në disa fshatra të vogla ditët e fundit.
Duke vizituar vijën e frontit, komandanti i ri i ushtrisë ukrainase, Oleksandër Syrski tha se situata në front mbetet e vështirë, por e kontrolluar. (A2 Televizion)