Sondazh: Sipas jush, brezi më i lumtur është:
  • X (1960-1980) 33%
  • Millenials (1981-1996) 56%
  • Z (1997-2011) 11%
  • Alpha (2012-2025) 0%

Gjermania në alarm, rusët i përgjojnë oficerët e lartë, po përgatisnin sulm me raketa në Krime

Nga A2 CNN
2 Mars 2024, 22:45 | Bota

Gjermania në alarm, rusët i përgjojnë oficerët e

Një audiopërgjim i një video-konference të ushtrisë gjermane, ku oficerët më të lartë të saj flasin për hartimin e një sulmi raketor në Krime, është publikuar në një postim në rrjetet sociale nga shefja e kanalit shtetëror rus, RT, Margarita Simonyan.

Përgjimi, me sa duket i kryer nga qarqet ruse zbulon bisedën e oficerëve të ushtrisë gjermane që diskutojnë për transferimin e raketave ajër-tokë me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë , si dhe objektivat e mundshëm të tyre.

Gjermanët flasin rreth përdorimit të mundshëm nga forcat ukrainase të raketave “Taurus” dhe efektet e një sulmi të mundshëm nga ana e tyre mbi Urën e Kerçit, e cila lidh Rusinë me Krimenë.

Sipas revistës Der Spiegel, video-konferenca nuk është mbajtur në një rrjet të brendshëm të koduar të ushtrisë, por në platformën ËebEx, ndaj lidhja nuk ka qenë aspak e sigurt.

Një zëdhënëse e ministrisë gjermane të mbrojtjes konfirmoi se ishte një bisedë mes oficerëve të Forcave Ajrore, por tha se ajo "nuk ishte në gjendje të thoshte me siguri" nëse zërat ishin ndryshuar përpara publikimit.

Përgjimi ka shkaktuar shqetësim serioz në Gjermani dhe njëherësh tërbim në Moskë. Nga ana e tij, kancelari gjerman Olaf Scholz e quajti rrjedhjen e informacionit sekret, "një çështje shumë serioze dhe kjo është arsyeja pse ajo tani po hetohet me shumë kujdes, shumë intensivisht dhe shumë shpejt".

Moska sakaq shprehu zemërimin e saj nëpërmjet zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, e cila kërkoi një shpjegim të menjëhershëm nga Gjermania. “Përpjekjet për të shmangur përgjigjen e pyetjeve do të konsiderohen si pranim i fajit”, tha ajo.

Me tone të larta e komentoi audion ish-presidenti dhe nënkryetar i Këshillit të Sigurimit, Dmitri Medvedev. "Rivalët tanë të përjetshëm - gjermanët - janë kthyer sërish në armiqtë tanë të betuar", shkroi ai në Telegram.

Publikimi i audios ndëkrohë vjen kur Ukraina i ka kërkuar Gjermanisë që t'i furnizojë me raketa Taurus , të cilat kanë një rreze veprimi deri në 500 kilometra. Megjithatë, qeveria e Scholz ka refuzuar deri më tani, nga frika se kjo do të çonte në një përshkallëzim të konfliktit.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani